Kryesoret Basha: Bashkim jo për kolltuqe. Selami: Dorëheqja i shërben PD

Basha: Bashkim jo për kolltuqe. Selami: Dorëheqja i shërben PD

191
0
SHPËRNDAJE

Dy kandidatët në garë, për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe rivali i tij, Eduard Selami janë ndalur në takim me demokratit e qarkut të Beratit.

Basha bashkëbisedoi me demokratët e Beratit, Kucovës, Policanit ku u ndal në analizën e asaj cfarë ndodhi me 25 qershor, ku përballë ishin PD me vlerat e programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetëtore dhe shitblerja masive e votës. Basha tha se beteja për vlerat ku aspirojmë të shkojmë duhet të vazhdojë deri në fund, dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.

“Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre akuza që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri. Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së indentitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës”, tha Basha.

Lulzim Basha tha se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme.

“Iu thamë shqiptarëve se ky është një raport që duhet të fillojë brenda familjes tonë. Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike”, theksoi Basha.

Vetëm PD, ka moralin dhe vlerat për ta shpëtuar vendin, tha Basha, dhe ai është gati ta bëjë këtë betejë deri në fund.

“Vij t’ju kërkoj të vazhdoj këtë betejë me ju, për demokratët e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që janë gati të na bashkohen në një luftë, jo për kolltuqe dhe privilegje, por për ndryshim. Betejë, që ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, siç na mëson historia e vendit tonë dhe historia  e civilizimit tonë.

Selami sfidon Bashën: Dorëheqja do të shërbejë

Kandidati për kreun e PD-së, Eduard Selami e ka ndalur turin e tij të takimeve në Berat, Kuçovë, Urës Vajgurore dhe Poliçan, ku është ndeshur me shqetësimin e strukturave për përçarjen e Partisë. Por Selami, ka theksuar se pikërisht në këto momente vota për të është akti i parë i bashkimit të Partisë Demokratike dhe rikthimit i saj si forcë bashkëkohore.

“Nëse vërtetë doni bashkim, me votoni mua dhe të bashkuar jeni. Kjo është një arsye më shumë. Unë shoh një shans real që së bashku të firmosim një kontratë, sepse ky model që ofroj është model bashkëkohor dhe i provuar. Nuk ka asnjë rast në historinë time publike që kam thënë diçka e se kam bërë”, tha Selami.

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, është shfaqur optimist nga mbështetja që ka marrë në bashkëbisedimet me demokratët, veçanërisht gjatë ditëve të fundit kur ata patën mundësinë ta njohin nga afër Selamin dhe vizionin e tij.

“Dorëheqja do të ishte një veprim qe do t’i shërbente atij vetë por dhe PD. Do i hapte rrugë një procesi të lirë. Prapë nuk është vonë të dorëhiqet, pasi kandidatin përballë e ka shumë të mirë dhe do ta lërë partinë në dorë të mirë dhe të sigurte”, pohoi Selami.

Selami tha se Basha, është lider i dështuar dhe që braktis premtimet. “Diferenca me e madhe është mes të thënës dhe të bërës. Kur e dëgjon zotin Basha, thua lum si unë por kur e sheh ne PD thua mjerë si ne. Nuk mund te qahesh, i njeh nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi me larg se kurrë. Pse? sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi”, theksoi ai. Selami, kërkoi sërish publikimin e listave të anëtarësisë, kjo për t’i dhënë besim garës, ndërsa thotë se një praktikë e tillë ndiqet ne forcat politike bashkëkohore si në shtetet e bashkuara ashtu dhe në partinë CDU të Merkel.

17 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)