Sociale Veliaj: Tiranë më dinjitoze se ajo që gjetëm

Veliaj: Tiranë më dinjitoze se ajo që gjetëm

101
0
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin total të Rrugës “Selaudin Bekteshi, e cila u vizitua nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ai tha se kjo është një tjetër dëshmi se punohet çdo ditë, pavarësisht faktit se jemi në verë.

“Ka qenë një rrugë e cila konsiderohej periferia më e papërfillshme e Tiranës, një zonë e lënë pasdore, që kryesisht banohej nga të ardhur ose komuniteti rom dhe egjiptian”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai deklaroi se veç infrastrukturës rrugore është ndërhyrë edhe në krijimin e të gjitha mundësive për të qenë një zonë e denjë urbane, në mënyrë që banorët e këtyre zonave të ndihen qytetarë të barabartë.

Ai shtoi se punimet rrugore janë shoqëruar me të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në gjelbërim dhe në infrastrukturën e nëndheshme, në mënyrë që investimi t’i rezistojë kohës.

“Kemi mbjellë 230 pemë, kemi sjellë një rrjet të ri kanalizimesh dhe ujësjellësi, në një farë mënyre ka ardhur urbanizimi fill pasi ka mbaruar legalizimi dhe do të vazhdojmë të mbajmë çdo premtim në këtë lagje, për t’u siguruar që në fund të këtij mandati të lëmë një Tiranë shumë herë më dinjitoze se sa ajo që gjetëm”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se veç investimeve në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, gjelbërim, kësaj zone do t’i shtohet shumë shpejt edhe një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën arsimore.

Ai siguroi se shkolla e re “Ardian Klosi” do të ketë një cilësi të lartë mësimdhënie, ndaj i bëri thirrje prindërve që fëmijët e tyre duke filluar që nga ky vit t’i regjistrojnë në këtë shkollë.

“Lajmi i mirë është se do të hapim shkollën e re “Ardian Klosi”. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, nuk ka nevojë të dyndemi në shkolla jashtë kësaj lagjeje, po punojmë me Drejtorinë Arsimore për të sjellë këtu disa nga mësuesit më të mirë, për të sjellë këtu disa nga kurset e gjuhëve të huaja më të mira, për të pasur terrenet sportive më të mira dhe besoj se është mëse e nevojshme që të gjithë prindërit ta kenë parasysh që regjistrimet për këtë vit t’i kenë në lagjen e tyre, te shkolla e re “Ardian Klosi”, tha Veliaj.

Ai u ndal edhe te situata e ujit të pijshëm, duke theksuar se falë aksionit të Task-Forcës por edhe të bashkëpunimit që kanë treguar qytetarët situata është drejt normalizimit. “Dua të falënderoj gjithë qytetarët për bashkëpunimin për sa i përket ujit të pijshëm. Situata po shkon drejt normalizimit. Do të doja që të vazhdonim me të njëjtin sens kursimi dhe nikoqirllëku, duke qenë se ky është një mall i fundmë, pra që e ka një limit”, u shpreh Veliaj.

17 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)