Ekonomi Hapet tenderi për rrugën e Arbrit

Hapet tenderi për rrugën e Arbrit

500
0
SHPËRNDAJE

Qeveria ka hapur zyrtarisht tenderin për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Ministria e Transporteve publikoi në faqen e Agjencisë së Prokurimeve njoftimin i cili fton kompanitë e interesuara të paraqesin ofertat për veprën që lidh Tiranën me Dibrën.

Sipas njoftimit, ofertat do të hapen në datën 2 tetor, ndërkohë që ndërtimi i rrugës pritet të fillojë menjëherë pas firmosjes së kontratës me fituesin.

Rruga e Arbrit do të ndërtohet me partneritet publik-privat. Vlera e projektit është llogaritur 33.6 miliardë lekë, ose afro 254 milionë euro, por çmimi real i rrugës do të dalë vetëm pas tenderit.

Sipas formës së përzgjedhur, kompania që do të shpallet fituese në tender do ta ndërtojë rrugën me fondet e saj dhe paralelisht do të ketë detyrimin për ta mirëmbajtur atë për 13 vitet e ardhshme.

Ndërkohë, qeveria do ta paguajë rrugën më këste për një periudhë kohore prej 13 vitesh. Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 73.5 kilometër. Nga këto, 20.1 kilometër janë ndërtuar me paratë e buxhetit, ndërsa pjesa tjetër do të ndërtohet nga kompania private.

Në prill të këtij viti, kur miratoi dhënien me koncesion të rrugës, qeveria shpërbleu me një bonus sa 10 për qind të pikëve ofertën e pakërkuar të kompanisë “Gjoka Construction”.

Kjo e vendos këtë kompani në avantazh në garën e tetorit. Ndërtimi i rrugës së Arbrit është pjesë e programit 1 miliard euro, që u lançua nga qeveria në fillim të këtij viti.

I pagëzuar me emrin “Programi i Rindërtimit”, ai synon tërheqjen e kapitalit privat në financimin e veprave publike, për të modernizuar infrastrukturën e vendit, jo vetëm atë rrugore por edhe në arsim e shëndetësi.

10 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)