Kulturë Mimika Luca, aktorja e karaktereve të heshtura

Mimika Luca, aktorja e karaktereve të heshtura

460
0
SHPËRNDAJE

Me portretin ku reflektohet një qetësi e lehtë, Mimika Luca do të bëhej menjëherë një personazh i dashur për publikun, që kur u shfaq për herë të parë në ekran, në filmin “Detyrë e posaçme”. Ishte viti 1963, kur vajza nga Gjirokastra e cila kishte nisur ëndrrën e saj si balerinë duke interpretuar në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit (1951-1962), përzgjidhet nga regjisori Kristaq Dhamo për të interpretuar në këtë film. Filmi ishte bazuar në ngjarje reale të viteve ‘50. Tomorri ishte një i infiltruar në një grup të agjenturave të huaja.

Ai fiton besimin e Zylfiut, Eminesë, Ndrek Gjergjit të lidhur me agjenturat dhe Anton Murrizit që vjen nga jashtë. Kështu Tomorri zbulon dokumente sekrete baza dhe mjete komunikimi. Tomorri lufton për të shkatërruar këto agjentura. Me një skenar tipik komunist, ajo çfarë do të ishte e paharrueshme për aktoren e re në këtë film, është fakti që personazhi kryesor Tomorri, interpretohet nga ai që do të ishte dhe dashuria e saj e jetës, aktori Ndrek Luca.

Ne nuk e dimë në ishte ky film që do ti afronte më shumë me njëri tjetrin dy aktorët, por ata do të mbeten si një ndër çiftet më të bukur të kinematografisë shqiptare. Mimika u pranua më vitin 1962 aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si p.sh: Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet”, etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Në vitin 1972 ajo interpreton në filmin “Kryengritje në pallat” nën regjinë e Xhanfize Kekos, ndërsa në vitin 1978 në filmin “Kur hidheshin themelet”, me regji nga Vladimir Prifti dhe skenar nga Kolë Jakova. Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Margigosë, tek “Përrallë nga e kaluara”, apo e nënës së Etlevës tek “Treni niset në shtatë pa pesë”.

Në rolin e nënës së Gjergjit, ajo do të jetë dhe tek filmi “Të shoh në sy” me regji të Mevlan Shanajt. Duket se rolet e nënave apo të edukatoreve, ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984-trën ajo interpreton edukatoren tek filmi “”Taulanti kërkon një motër” . Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë. Një nga filmat e fundit ku Mimika Luca ka intepretuar është tek filmi “Viktimat e Tivarit” një film I vitit 1996 me regji e skenar të Ekrem Kryeziut, në kastën e aktorëve të së cilit ishte dhe bashkëshorti Ndrekë Luca. Kjo aktore modeste ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që I kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare. Krahas aktrimit Mimikës I pëlqente edhe të shkruante. Ajo shkroi edhe disa drama, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 ajo kaloi si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.

10 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)/a.b