Sociale Kontrolli i pikave të karburanteve, bllokohen 9 subjekte

Kontrolli i pikave të karburanteve, bllokohen 9 subjekte

105
0
SHPËRNDAJE

Në ditën e tretë të aksionit për kontrollin e pikave të karburantit, bashkia e Tiranës është fokusuar tek pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm, kryesisht në lagje dhe pranë pallateve.

Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore bllokuan sot pika shitje të gazit në rrugën “Myslym Shyri”, pranë zonës së njohur si 9-katëshet, në rrugën “Him Kolli dhe në rrugën “Hoxha Tahsim”, të cilat e ushtronin aktivitetin e tyre pa licencë, duke iu shmangur detyrimeve ndaj qytetit. Nga kontrolli i kryer në 14 subjekte, 9 prej tyre kanë rezultuar me probleme dhe është bërë bllokimi i aktivitetit.

Në tre ditët e para të aksionit, 24 biznese që merren me tregtimin e karburantit dhe gazit janë paraqitur pranë Bashkisë së Tiranës për t’u pajisur me licencë, kanë plotësuar dokumentacionin, si dhe kanë kryer pagesat përkatëse. Me t’u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm dhe pasi kanë shlyer detyrimet e taksave të parashikuara nga aktet ligjore e nënligjore, ditën e sotme ka nisur zhbllokimi i disa pikave të tregtimit të karburanteve.

Prej tri ditësh Bashkia e Tiranës po ushtron kontrolle në të gjithë territorin e Tiranës për bllokimin e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me legjislacionin

12 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)