Sport Shkëndija-Milan, 10 mijë bileta për 24 orë

Shkëndija-Milan, 10 mijë bileta për 24 orë

1333
0
SHPËRNDAJE

Shkëndija-Milan është më tepër se një derbi kuqezi. Është një ëndërr për tifozët shqiptarë dhe jo vetëm ata që jetojnë në Tetovë. Kjo bën që interesimi për biletat e duelit të 24 Gushtit, ku Shkëndija do të luajë si skuadër pritëse në Shkup përballë gjigandëve italianë, të jetë i jashtëzakonshëm.

Klubi tetovar njoftoi se në 24 orët e para janë shitur plot 10 mijë bileta për duelin me Milanin, në fazën “play off” të Europa League. Një rekord më vete ky për skuadrën shqiptare të rekordeve.

Edhe pse nga përballja me kuqezinjtë do të luhet pas dy javëve në “Telekom Arena”, interesimi ka qenë mjaft i madh prej fillimit dhe nuk kanë munguar radhët e gjata nga tifozët për të siguruar një vend në stadium.

Për këtë arsye, klubi tetovar i ftoi të gjithë mbështetësit që të pajisen sa më shpejt me bileta, për të shmangur pakënaqësitë që mund të vijnë si rrjedhojë e shitjes së impiantit me kapacitet të plotë.

Në mbështetje të Shkëndijës nuk do të jenë vetëm shqiptarët e Iliridës, por tifozë nga të gjitha trojet. Drejtuesit e klubit janë kujdesur që biletat për ndeshjen me Milanin të dalin në shitje edhe në Tiranë, Prishtinë dhe Gostivar.

E kthyer tashmë në një krenari mbarëkombëtare, Shkëndija do të ketë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, në misionin për të shkruar një tjetër faqe të lavdishme të historisë së klubit.

12 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)