Botë SHBA: Hetime për të drejtat civile për ngjarjet në Virgjinia

SHBA: Hetime për të drejtat civile për ngjarjet në Virgjinia

56
0
SHPËRNDAJE

Hetuesit federalë të Shteteve të Bashkuara thonë se i kanë hapur hetimin për të drejtat civile lidhur me rrethanat të cilat e çuan një person me makinë për ta goditur turmën në tubimin e nacionalistëve të bardhë dhe aktivistëve të së djathtës ekstreme, së bashku me kundërprotestuesit në qytetin Sharllotsvill.

Nga kjo goditje me makinë është vrarë një femër 32 vjeçare dhe janë plagosur 19 vetë të tjerë. Policia tha se personi, James Alex Fields, 20 vjeçar, ishte shofer i veturës. Ai është arrestuar pak kohë pas incidentit dhe akuzohet me vrasje të shkallës së dytë dhe katër akuza të tjera, përfshirë plagosje keqdashëse.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, tha se “dhuna dhe vrasjet në Sharllotsvill e kanë goditur zemrën e ligjit dhe drejtësisë amerikane”.

Zyrtarët në Sharllotsvill e kishin miratuar tubimin e së djathtës ekstreme për ditën e djeshme, që ishte një protestë ndaj vendimit të qytetit për ta larguar shtatoren e gjeneralit, Robert E. Lee, që ishte lider i Konfederatës gjatë Luftës Civile Amerikane. Por, leja për mbajtje të tubimit ishte tërhequr pas përleshjeve në mëngjesin e ditës së djeshme.

13 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)