Kulturë 85 vjeçe dhe e bukur si Tinka Kurti

85 vjeçe dhe e bukur si Tinka Kurti

908
0
SHPËRNDAJE

E bukura e Tinka Kurtit nuk është vetëm në portretin e saj, në rolet që spikatën aq shumë në kinematografinë shqiptare. E bukura tek ajo është kudo, në bisedë, në mënyrën sesi jeton dhe mendon. Sot ajo feston 85 vjetorin e lindjes, një përvjetor i rëndësishëm dhe për kinemanë shqiptare, ku një prej portreteve më të spikatura mbush 85 vjeç. Kinemaja ishte një dashuri për të, ashtu si teatri. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën por dhe mënyrën e interpretimit. Në një foto të realizuar gjatë xhirimeve të filmit “Balada e Kurbinit”, ajo shfaqet me një portret që nuk do të harrohet asnjëherë, përkrah Petrit Malajt, i cili luan personazhin e Dart Skuraj, emrin e së cilit do t’ia vendoste më vonë të birit.

Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë. E quajtur gjithnjë si “Zoja e randë” e teatrit dhe kinemasë shqiptare, ajo diti të ishte e tillë me jetën dhe punën e saj. Sarajeva do të mbetej qyteti i ëndrrave të fshehta, ku do të kthehej shpesh përmes kujtimeve të rrëfimeve të dëgjuara e kujtesës, për tu kthyer në këtë qytet kur ishte 65 vjeç. ”Kujtoj parkun, rrugicën me kalldrëm dhe ndjej në çdo çast shtrëngimin e dorës së nënës sime të shtrenjtë. Ai loti që doli papritur më kujton çastet e dhimbshme, portën e shtëpisë, nga e cila dola kur isha vetëm 5 vjeç dhe u riktheva kur mbusha 65 vjeç. Shkova në dhomën për të cilën më kishte folur nëna, hungarezja Elisabetë, e cila pas lindjes kishte dalluar mes yjesh një germë T, dhe për këtë shkak vendosi ta quante vajzën Tinka”, kujton ajo në një intervistë. Në fakt Tinka do të niste mësimet në Politeknikumin e Tiranës dhe rastësisht përfundoi në degën e Dramës, në Lice. Por kjo ëndërr e bukur do të ndërpritej në mes.

“Vetëm pas tre muajsh shkollë do të më përjashtonin për manifestimin e shfaqjeve liberale dhe asnjëherë nuk e mora diplomën e aktrimit. Por në rastin tim, talenti vulosi diplomën e aktorit. Pjesa më e bukur për mua është Shkodra. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia, atje ku hodhi hapat karriera ime si artiste. Kjo udhë e gjatë, e bukur sa edhe e vështirë, nisi me “Dasmën Shkodrane”, kur isha vetëm 16 vjeçe. Për herë të parë do të ngjitesha në një skenë teatri. Në të vërtetë më kishin marrë aty për të kënduar në kor, por regjisori shpejt kuptoi se kishte të bënte me një aktore. Dhe nuk kish gabuar. Hapi i parë do të hidhej me filmin “Tana” dhe më pas jeta ime do t’i kushtohej skenës dhe filmit” kujton ajo. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.

Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa” e Çehovit. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Ndër rolet e saj më të dashura mbetet ai i Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit” dhe kështu do të përmendja një varg rolesh deri tek ky i fundit, tek “Streha e të Harruarve” shkruar nga Rruzhdi Pulaha, që u xhirua edhe film para pak muajsh. Ajo mbetet artistja e parë që ka realizuar puthjen në kinemanë shqiptare, kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dha puthjen partnerit aktorit të madh Naim Frashëri.” Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme”, kujton aktorja. Ajo ka kujtuar se për të realizuar këtë skenë i janë dashur29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas.” Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore”, thotë Kurti.

Filmografia:

  • Ne kerkim te kujt (2012) serial
    • Familjet (2009) serial
    • Filumena Marturano (2009) Teatër
    • Ne dhe Lenini (2008)
    • Mira – (2008)
    • Kosova: Desperate Search – Etjet e Kosovës (2006)
    • Dasma e Sakos – (1998)
    • Nata – (1998)
    • Zëmra e nënës – (1994)
    • Vdekja e kalit – (1992)
    • Unë e dua Erën – (1991) – Doktoreshe Keti
    • Balada e Kurbinit – (1990) – Nëna e Dardit
    • Edhe ashtu edhe kështu – (1989) – Tezja e Almes
    • Flutura në kabinën time – (1988)
    • Telefoni i një mëngjesi – (1987)- Nena e Neritanit
    • Në emër të lirisë – (1987)
    • Hije që mbeten pas – (1985) – Nena e Agronit
    • Besa e kuqe – (1982) – Dila
    • Qortimet e vjeshtës – (1982) Nena e Kujtimit
    • Si gjithë të tjerët – (1981) – Drejtoresha e shtëpisë se fëmijës
    • Mëngjese të reja – (1980)
    • Nusja – (1980)
    • Gjeneral gramafoni – (1978)- Nena e Halit Beratit
    • Vajzat me kordele të kuqe – (1978)
    • Emblema e dikurshme – (1976)
    • Çifti i lumtur – (1975)
    • Lumë drite – (1975)
    • Në fillim të verës – (1975)….Nena e Veres
    • Operacioni Zjarri – (1973)
    • Yjet e netëve te gjata – (1972) Pashako
    • Guximtarët – (1970)
    • Tana – (1958)

17 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)