Ekonomi INSTAT: Eksportet rriten me 12.9%

INSTAT: Eksportet rriten me 12.9%

53
0
SHPËRNDAJE

Kompanitë shqiptare eksportuan 158 miliardë lekë mallra në periudhën janar-korrik të këtij viti. Sipas INSTAT-it, krahasuar me një vit më parë eksportet janë zgjeruar me 18 miliardë lekë, ose 12.9 për qind.

Të dhënat e detajuara tregojnë se pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur veçanërisht nga dy zëra. Ato janë eksportet e materialeve të ndërtimit dhe industria e fasonit. Por ecuri pozitive kanë pasur edhe eksportet bujqësore, ndonëse pesha e tyre është më e vogël.

Kjo është hera e parë nga viti 2014, që eksportet e kompanive shqiptare shënojnë rritje. Sipas INSTAT, në periudhën 2015-2016 eksportet ranë me 13 miliardë lekë, të ndikuara nga ulja e çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare.

Por këtë vit, rënia e eksporteve të naftës dhe mineraleve është ndalur, ndërkohë që zërat e tjerë kanë shënuar rritje.

Tendenca e shkëmbimeve tregtare ka qenë e njëjtë edhe në krahun tjetër, atë të importeve. Sipas INSTAT-it, në 7 muajt e parë të vitit importet u zgjeruan me rreth 20.6 miliardë lekë, krahasuar me vjet, të ndikuara nga importet e lidhura me gazsjellësin transadriatik (TAP), por edhe ato të energjisë elektrike për shkak të krizës.

Kjo ka bërë që deficiti tregtar, diferenca mes importeve që vendi ble nga jashtë dhe eksporteve që i shet botës, të zgjerohet me 1.4 për qind krahasuar me vjet, duke arritur shifrën 192 miliardë lekë.

17 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)