Botë Sulm terrorist në Barcelonë, furgoni godet turmën; 13 të vdekur. ISIS merr...

Sulm terrorist në Barcelonë, furgoni godet turmën; 13 të vdekur. ISIS merr autorësinë

538
0
SHPËRNDAJE

Të paktën 13 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur janë regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në Barcelonë, kur një furgon është përplasur me këmbësorët në një zonë turistike, në atë që policia spanjolle po e konsideron si sulm terrorist.

Dëshmitarë nga vendngjarja kanë publikuar foto dhe video nga momenti i tmerrit, ndërsa atje shkuan automjetet e emergjencës, pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët.

Agresori, pasi ka ndaluar furgonin, ka arritur të largohet në këmbë, ndërkohë që policia ka nisur ndjekjen.

Burime të policisë spanjolle konfirmojnë se deri tani janë 13 persona të vdekur dhe disa të plagosur në gjendje të rëndë. Për policinë bëhet fjalë për një sulm terrorist.

Sipas gazetës spanjolle ‘El Pais’ autorët janë fshehur në një bar në Tallers Street, ndërsa autoritetet janë në kërkim të tyre, por nuk dihet nëse flitet për të njëjtën ngjarje.

Raportet kanë deklaruar që dy burra të armatosur kanë hyrë në restorantin turk ‘Luna de Istanbul’ ku po mbajnë peng shumë njerëz.

Shërbimet e urgjencës kanë bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg zonës. Incidenti ndodhi në ‘La Rambla’, një rrugë e njohur e cila vizitohet nga turistët.

Një nga dëshmitarët ka shkruajtur në rrjetin social Twitter se shumë kalimtarë janë futur për t’u strehuar në një restorant, ndërsa policia ka rrethuar zonën.

Ndërkohë, i ashtuquajturi shteti islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin në Barcelonë duke thënë se është kryer nga ushtarët e shtetit islamik.

Agjencia e lajmeve e lidhur me ISIS, Amaq publikon marrjen përsipër te sulmit në Spanjë.

Grupi nuk ka dhënë as prova dhe as detaje të mëtejshme për të mbështetur këtë pretendim. Një person u arrestua në Barcelonë në lidhje me sulmin ku deri tani janë konfirmuar 13 të vdekur dhe 80 të plagosur.

17 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)