Sport Partizani fiton miqësoren në Itali, Juliano në “gjurmët” e De Biazit

Partizani fiton miqësoren në Itali, Juliano në “gjurmët” e De Biazit

323
0
SHPËRNDAJE

Mark Juliano e nisi me një fitore 2-1 ndaj skuadrës italiane të Vastezes që luan në Serinë D, aventurën e tij te Partizani.

Blerja më e re të kuqve futbollisti nga Panamaja Herrera dhe Renaldo Kalari i cili ekzektuoi mjeshtërisht një goditje standarte ishin autorët e golave për Partizanin që prej disa ditësh po stërvitet në Itali.

Në një intervistë për mediat italiane trajneri Juliano vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij në këtë miqësore.

“Kemi 6 ditë që stërvitemi këtu në Itali dhe mendoj që mora përgjigje pozitive nga skuadra. E di që duhet të punojmë shumë më tepër por e rëndësishme është që në këtë miqësore nuk u dëmtua asnjë nga futbollistët. Dua t’i bëj komplimente gjithashtu Vastezes, që është një skuadër e mirë që ka ide dhe mbi të gjitha ka një trajner të shkëlqyer”.

Ish-mbrojtësi i Juventusit foli edhe për objektivat e Partizanit në sezonin e ri duke lënë të kuptohet se fitimi i titullit kampion është objektivi i madh i të Kuqëve.

“Ambiciet tona për sezonin e ri janë të bëjmë më të mirën e mundshme, të arrijmë te suksesi që i mungon prej shumë vitesh Partizanit. Kemi në skuadër lojtar shumë të mirë, kemi bërë një merkato të shkëlqyer. Detyra ime dhe e stafit tim është të ndihmojmë futbollistët të arrinë gjëndjen më të mirë fizike për të përballuar me sukses kampionatin”.

Iuliano ëndërron që te Partizani të bëjë po aq mirë siç bëri De Biazi te kombëtarja kuqezi, ndërsa ka mbetur shumë i surprizuar nga ambienti që ka gjetur në Shqipëri.

”Puna ime ndryshon nga ajo e De Biazit, sepse jam në drejtimin e një klubi, megjithatë ajo që ka bërë Gianni me kombëtaren duhet ndjekur si shembull. Shqipëria është një vend që më ka surprizuar mua, ka surprizuar të gjithë futbollistët që kanë ardhur në Tiranë në këtë merkato. Është një realitet i bukur dhe ne duhet të bëjmë gjithçka të japim kontributin tonë për të ndihmuar skuadrën të rritet akoma më shumë pasi Partizani është tashmë klubi më i rëndësishëm në Shqipëri”.

Juliano nuk kërkon ta përdorë Partizanin si një trampolinë për të ardhmen e tij si trajner pasi ndodhet tashmë në një klub të madh.

“Ëndrra ime tashmë quhet Partizani sepse jam shumë i kënaqur. Kam patur besimin e drejtuesve të klubit, jam në drejtimin e një skuadre me emër dhe që ka futbollistë të mirë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të punoj fort dhe ti shpërblej klubit faktin që besoi tek unë dhe te stafi im”.

18 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)