Sport U-21, Bogdani shpall listën për miqësoret me Gjeorgjinë

U-21, Bogdani shpall listën për miqësoret me Gjeorgjinë

206
0
SHPËRNDAJE

Erjon Bogdani shpall listën për dy miqësoret ndaj Gjeorgjisë. Janë 25 futbollistët e grumbulluar nga trajneri i kombëtares shqiptare të 19-vjecarëve ku spikasin emra të tillë si mbrojtësi Marash Kumbulla që luan në Itali me Veronën, mesfushori i të rinjve të Interit Armand Rada apo edhe ai i Fiorentinës, Erald Lakti.

Dy miqësoret ndaj Gjeorgjisë të cilat do ti shërbejnë trajnerit Bogdani për kualifikueset e muajit Tetor, do të luhen në datat 30 Gusht dhe 1 Shtator në stadiumin Loni Papaciu të Fierit. Në konferencën për shtyp ku shpalli listën e të grumbulluarave ish bomberi i kombëtares kuqezi fillimisht foli për rëndësinë e dy miqësoreve ndaj Gjeorgjisë.

“Kemi grumbullimin për 2 ndeshjet miqësore me Gjeorgjinë. Ekipi vjen pas dy turneve që ka zhvilluar në Itali. Gjeorgjia është një skuadër e mirë pasi ka marrë pjesë në kampionatin europian të 19-vjecarëve që është zhvilluar pikërisht në Gjeorgji. Janë dy teste shumë të mira për ne, përpara sfidave kualifikueseve”.

Shqipëria bën pjesë në grupin 12 dhe në Tetor do të sfidojë në elimintoret e europianit përfaqësuese të tilla si Ukraina, Mali i Zi dhe Norvegjia. Bogdani pret përgjigje nga futbollistët në dy miqësoret ndaj Gjeorgjisë sepse pjesa më e madhe e tyre do të jenë pjesë e grumbullimit për sfidat kualifikuese.

“Shumica e lojtarëve do të jenë edhe në kualifikueset e Tetorit dhe unë normalisht pres përgjigje nga futbollistët pasi do të kemi dy ndeshje ndaj një një skuadre shumë të mirë. Grupi për elimintaoret do të jetë ky por mund të ketë edhe ndonjë afrim të ri për fushatën kualifikuese”.

Trajneri është i prerë në përgjigjen e tij kur pyetet se për origjinën e futbollistëve të grumbulluar duke theksuar me forcë se atij nuk i intereson politika.

“Politika dhe sporti janë dy gjëra të ndara. Unë jam trajneri i ekipit kombëtar dhe zgjedh futbollistët më të mirë. Ata që luajnë në klubet e tyre dhe bëjnë paraqitje të mira, sigurisht që do të jenë pjesë ekipit përfaqësues. Mua nuk më intereson politika dhe nuk ka shumë rëndësi nëse lojtarët janë nga Shqipëria apo Kosova”.

Në fund trajneri foli edhe për objektivat e Shqipërisë së 19-vjecarëve në këto eliminatore.

“Luajmë në Shqipëri, do të kemi mbështetjen e tifozëve dhe objektivi ynë është të marrim më të mirën nga këto 3 ndeshje. Duam të bëjmë një figurë të mirë në eliminatore”.

18 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)