Aktualitet Zbardhet plagosja e të rinjve në Sarandë, 4 në pranga

Zbardhet plagosja e të rinjve në Sarandë, 4 në pranga

308
0
SHPËRNDAJE

Dalin detaje nga plagosja e dy të rinjve në qytetin e Sarandës, ku për shkak të dëmtimeve të marra njëri prej tyre u dërgua në spitalin e Janinës.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të së enjtes, në lagjen Nr.1, pranë gjykatës, ku janë konfliktuar fizikisht disa persona.

Efektivët e policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar se ishin konfliktuar me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasit Adriatik L., Albjon S dhe Flavio T., me Arben Baxherin.

Në momentin kur kanë mbërritur shërbimet e policisë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë konstatuar Adriatik L., Flavio T., dhe Arben Baxheri, pasi Albjon S., ishte larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe gjatë largimit ka dëmtuar edhe disa automjete të tjera.

Si pasojë e konfliktit ishte dëmtuar dhe u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën shtetasi Adriatik L. Ndërsa Baxheri ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar në Spitalin e Janinës.

Nga ana e policisë është bërë zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes, si dhe kapja dhe ndalimi i Albjon.S., i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjatë kontrollit që policia ka ushtruar në banesën e tij, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me 5 fishekë, dhe një armë e ftohtë dorezë dore.

Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi i Adriatik L., 18 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, Flavio T., 21 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, Arben Baxheri, 32 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.

Krahas tyre u arrestua dhe i dyshuari kryesor Albjon S., 24 vjeç, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrim i pronës”.

18 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)