Ekonomi Tenderët e energjisë “online”. OSHEE: Në tetor, 20 mln euro import

Tenderët e energjisë “online”. OSHEE: Në tetor, 20 mln euro import

63
0
SHPËRNDAJE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është në pritje të fondeve buxhetore për përballimin e importeve për muajt në vazhdim. Gjithsesi OSHEE-ja është e përgatitur për çdo situatë, por mbështetja buxhetore do të lehtësonte financat e kompanisë, e cila për muajt e verës ka harxhuar gati 80 milionë euro për blerje energjie.

“Ne jemi në pritje të konfirmimit. Vendimit i Këshillit të Ministrave ka dalë për një mbështetje financiare të sistemit, ku po bëhet ndarja sa i përket pjesës që do të mbështetet nga KESH, nga OSHEE, si dy aktorët kryesorë të vendosur në një pozitë të vështirë financiare për shkak të situatës së vështirë hidrike.

Ne shpresojmë që ta kemi këtë mbështetje”, tha Elton Sevrani, nga divizioni tregtar i OSHEE-së. Qeveria ka ndryshuar buxhetin me një akt normativ për të mbështetur me rreth 3 miliardë lekë sektorin e energjisë në këtë situatë të vështirë klimatike, ndërkohë vet OSHEE-ja po bën kolaudimet e fundit për zhvillimin e tenderëve me platformën “online”.

Për tetorin, sasia e energjisë që do të importohet do të jetë mbi 20 milionë euro. “Kjo i hap mundësi OSHEE-së që me këtë platformë të tërheqë më shumë ofertues, të ketë më shumë oferta edhe nga tregjet ndërkombëtare, dhe i krijon mundësinë Shqipërisë që aktualisht ne të kemi një platformë elektronike, që në të ardhmen mund të jetë pjesë integrale e tregjeve ndërkombëtare.

Gjë që i paraprin edhe hapjes së bursës, që shpresojmë të bëhet rreth vitit të ardhshëm”, tha më tej Elton Sevrani. Në platformën “online” OSHEE-ja njofton blerjen e energjisë dhe kompanitë që janë të regjistruara, secila në llogari më vete, bëjnë ofertat në kohë reale.

10 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)