Sociale Parku Qendror i Bulevardit të Ri, Veliaj prezanton projektin e ri

Parku Qendror i Bulevardit të Ri, Veliaj prezanton projektin e ri

410
1
SHPËRNDAJE

Parku Qendror i Bulevardit të Ri do të jetë mushkëria e re e kryeqytetit, me një sipërfaqe 6 herë më të madhe se Parku Rinia. Pas sheshit “Skënderbej “dhe pas Parkut të Liqenit të Tiranës, atij të Farkës dhe të Kasharit, Parku Qendror do të jetë një nga pjesët më kreative të qytetit, i ngjashëm me parqet më moderne në vendet më të zhvilluara. Në dëgjesën publike të organizuar nga Bashkia e Tiranës merrnin pjesë anëtarë të Këshillit Bashkiak, arkitektë, urbanistë si dhe përfaqësues të grupeve të interesit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se për herë të parë është gati një projekt i plotë jo vetëm për ndërtimin e bulevardit të ri, por edhe i zhvillimit të të gjithë zonës. “Për herë të parë ne kemi projektimin, jo vetëm të një projekti infrastrukturor si bulevardi, por të një lagje të tërë, të një mëhalle të tërë të Tiranës që deri në përfundimin e saj do të ketë rreth 100 mijë banorë.  Çështja është, a do funksionojmë si qytet gjithmonë  vetëm në kushte të një emergjence apo ndoshta do fillojmë të mendojmë pak afatgjatë?  Të marrim pak frymë 3-4 vjet në advancë  kur vjen puna për të themeluar një lagje të re të Tiranës. Unë besoj se për bashkinë tonë është edhe një nder, do lëmë një gjurmë në qytet”, tha Veliaj duke deklaruar se ky projekt është një standard i një testamenti urban për qytetin dhe i planifikimit në total të çdo lagje duke filluar nga çerdhet, kopshtet, shkollat, kanalizimet, uji, telefonia, interneti si dhe gjithë infrastruktura mbështetëse tek parqet, këndet e lodrave.

Veliaj deklaroi se ka qenë një punë 2-vjeçare për të studiuar me detaje gjithçka për përmirësimin dhe zhvillimin e saj. Duke u ndalur në Planin  Vendor për zhvillimin e kësaj zone të re, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak do të miratohet edhe pjesa e fundit e këtij plani. “Kishte vetëm një pjesë bosh, si ato lojërat që bëjnë fëmijët me puzzle ku duhet të vendosësh copat. Kjo ishte e vetmja copë e pavënë në plan, të cilën ne sërish me drejtimin e Aldrinit, duhet të mbledhim Këshillin Bashkiak këtë muaj, për të aprovuar këtë pjesë të fundit të planit tonë urbanistik. Në të cilin për herët të parë kemi deri në detaje, se cili është këndi i dritës dhe këndi i ajrosjes për secilën ndërtesë, edhe për secilën godinë”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se projekti i “Bulevardit të Ri” do të jetë një gjenerues të ardhurash për bashkinë. “Projekti i “Bulevardit të Ri” së pari duhet të jetë një gjenerues të ardhurash për bashkinë, me të cilën, e para e punës mund të paguajmë kredinë për gjithë këtë punë, por sigurisht të kemi edhe para për financime të tjera”, tha ai, teksa sqaroi edhe çështjen ndërtimeve në kryeqytet.

“Gjëja e parë që bëmë është që ne 10-fishuam taksën e ndërtimit. Ndërtuesit nuk janë të lumtur për këtë. Sot të bësh një pallat mesatar në Tiranë, duhet ti paguash 1 milion euro taksë bashkisë. Po si mendoni ju, me çfarë bëhen shkollat, kopshtet, çerdhet, me çfarë pastrohet Tirana, me çfarë mbillen pemët, me çfarë organizohet e gjithë infrastruktura e këtij qyteti, me çfarë lekësh ndërtohen të gjitha këto investime, nga Sheshi “Skënderbej” te ky bulevard, te rrugët, te këndet e lodrave, te çdo gjë ne inaugurojmë përditë? Nga taksat. Dy mundësi janë, ose do taksosh ata që mund të mbajnë më shumë, që janë ndërtuesit, ose do taksosh ata që janë më pak, që marrin më pak, por që janë shumica e popullsisë, që janë familjarët”, theksoi Veliaj.

Vetëm me projektin e kredive të buta, në kryeqytet priten që të shiten rreth 1 mijë apartamente. Kryebashkiaku Veliaj tha se në ato zona ku Bashkia ka ndërhyrë për përmirësimin e infrastrukturës vlera e pronës është rritur, ndërsa për apartamentet e reja, pavarësisht taksës së vendosur për ndërtuesit, çmimi ka rënë.

“Në vendet ku bashkia ka investuar, siç është Pazari e ri e zona të tjera, është rritur vlera e apartamenteve ekzistuese. Por e keni vërë re gjithashtu që pavarësisht se është 10-fishuar taksa, nuk rezultoi e vërtetë kuja e histerikëve që thanë do të rriten çmimet e apartamenteve të reja. Jemi duke monitoruar për herë të parë jo vetëm cilësinë me të cilën bëhet ndërtimi në Tiranë, taksat që i sjell Bashkisë, mënyrat se si këto vendosen në eficencë, por për herë të parë dhe në nivel makro, për të kuptuar se si kjo po influencon tregun dhe për t’u siguruar që ndërtesat e vjetra ju rritet vlera aty ku bashkia ka ndërhyrë kurse për ndërtesat më të reja çmimet nuk i kanë më të shtrenjta, por më të ulëta”, tha ai.

12 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)

  • margarit

    Veliaj po ben bulevardin, por nuk ka parashikuar asnje nen kalim. A nuk do ket kryqezim me rruge te tjera te qytetit ajo rruge?!, -perse te mos parashikoj edhe nenkalime?!. -perse kryqezimet te behen nga siper rrugeve. Asht nje rruge e re, perse te mos behet ashtu si duhet.