Opinion POPA E FUNDIT

POPA E FUNDIT

179
0
SHPËRNDAJE

Nga Ylli POLOVINA

Pse të mos marrë një pension të veçantë Maria Ermioni?

Rishfaqja jo sepse e ka kërkuar ajo, Popa e fundit prej gjashtë pjesëtarëve të familjes homonime që në 12 dhjetor 1985 hynë në territorin e ambasadës italiane në Tiranë, por nga media, nuk mund të mënjanohet më si të jetë rutinë.

Kushtet e vështira të jetës së saj, jo të shkaktuara patjetër prej Shqipërisë së pas vitit nëntëdhjetë, shtatë mijë lekë pension dhe për të plotësuar kushtet minimale të jetesës, mbledhja për t’i shitur që u bën kanaçeve nëpër vendgrumbullimet e plehrave, të detyrojnë të reflektosh nëse gjendet nga shteti një mënyrë korrekte për t’ia lehtësuar muajt apo pak vitet e fundit kësaj tetëdhjetëvjeçareje.

Mbase edhe për humanizëm apo edhe si rregull asistence, por le t’i lëmë mënjanë këto lehtësi, duke menduar se në gjendje të tillë nuk janë një apo dhjetë shqiptarë.

Ermioni e meriton një pension të veçantë.

Kam pasur rast t’i njoh dy prej motrave në ambasadën shqiptare në Romë, ndërsa punoja atje, veçanërisht nga moti 1998 e deri sa në 17 tetor 2001, kur shumë policë të Romës, në orën 8.30, të pajisur me një furgon dhe mjaft vetura të shërbimit, ndërhynë pranë Shtëpisë së Pushimit Komunal dhe larguan nga banesa katër motrat, Ileanën, Zhanetën, Marien dhe Irenën. Vëllai i tyre, Akili, tetëdhjetëvjeçar, qe në gjendje të rëndë shëndetësore.

I dëbuan për në Shqipëri.

Edhe nëpërmjet arkivës së Ministrisë së Jashtme si edhe shtypit italian, shumë burimeve të tjera, autori i këtyre rradhëve e di sa shumë e ndërlikuar është kjo ngjarje. Po ashtu shumica e motrave, por jo dy vëllezërit, ishin temperamente mjaft të vështira për të komunikuar dhe bërë një dialog, shpesh tepër pretenduese dhe sherrete, të prira që statusin e mërgimtarit politik ta konsideronin përfitimin e një privilegji.

E megjithatë familja Popa duke nisur prej 12 dhjetorit 1985 deri në 16 maj 1990, kur në orën 18.30 tek porta e ambasadës italiane në Tiranë hyri një furgon i bardhë i Kryqit të Kuq Italian dhe mori gjashtë motrat e vëllezërit për t’i dërguar drejtpërsëdrejti në aeroportin e Rinasit, ku i priste një avion special i ardhur posaçërisht nga Roma, bëri histori kombëtare dhe madje edhe evropiane.

Kishte qenë vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Peres De Kuelar, që kishte negociuar me Ramiz Alinë.

Menjëherë pas kësaj ikjeje të lejuar nga qeveria shqiptare, por të detyruar nga Perëndimi dhe objektivi i tij që edhe vendi ynë të merrte rrugën e shoqërisë së hapur pluraliste, shpërthyen ikjet në kufi dhe sidomos hyrja masive në ambasada në 2 korrik 1990.

Me pak fjalë mori hov lëvizja demokratike për të rrëzuar regjimin autokrat e diktatorial të realsocializmit stalinist.

Ajo arratisje e bujshme dhe qëndresa pesëvjeçare e familjes, por mbi të gjitha e opinionin publik dhe e shtetit demokratik italian, po ashtu edhe i tërë Perëndimit, kishte një mesazh të qartë çlirimi tek sa u bë dhe u mbështet menjëherë si gjest i kryer pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Pas Luftës së Dytë kjo ngjarje është më e jashtëzakonshmja e ndodhur, por pse jo edhe më e dobishmja në kumtin e saj të të drejtave njerëzore.

Nuk duhen parë cilësitë personale të protagonistëve, rëndomësia e tyre apo edhe bezdia personale që të japin.

Historia bërësit e saj nuk i zgjedh me rregulla CV-je.

Ata janë çfarëdolloj.

Maria Ermioni është pjesëza e fundit e një epoke historike që shkoi drejt çlirimit ideologjik të Shqipërisë dhe shpëtimit të saj nga lufta e klasave, mbyllja shtrënguese brenda territorit, moslejimi i lëvizjes së lirë jashtë kufijve….

Një pension i thjeshtë suplementar të shtuara atyre shtatëmijë lekëve që një plake nuk i mjaftojnë as për ilaçe, do të jetë një gjest i drejtë, po ashtu edhe fisnik.

Edhe patriotik.

Në historinë shqiptare, pas shumë e shumë dekadave, askush nuk do ta sjellë ndërmend se për shkak të bezdisë që u dhanë dy shteteve, ata u sollën ashpër dhe ftohtë me ta.

Do të mbahet mend si ata gjashtë ndryshuan kohën.

12 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)