Kryesoret Integrimi në BE, Meta: Jetik, që Ballkani t’i ikë nacionalizmit

Integrimi në BE, Meta: Jetik, që Ballkani t’i ikë nacionalizmit

77
0
SHPËRNDAJE

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Presidenti Ilir Meta dha një intervistë të gjatë për gazetën italiane “La Stampa”.

“Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit, pas zgjedhjeve të përgjithshme tonat dhe formimit të qeverisë, tani kemi nisur aplikimin e reformës në drejtësi. Tani presim që të merret sa më shpejt vendimi për hapjen e këtyre bisedimeve me Bashkimin Europian”, iu përgjigj Ilir Meta pyetjes së gazetares Francesca Paci në lidhje me ecurinë integruese të vendit tonë.

Meta thotë se integrimi, jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë Ballkanit Perëndimor është jetik për gjithë rajonin dhe vetë Europën.

“Duam të anëtarësohemi sepse së pari jemi europianë. Ne duam një të ardhme me prosperitet për të gjitha vendet e rajonit dhe Europa është prosperiteti ynë i përbashkët për të mos u kthyer tek nacionalizmi dhe konfliktet e së shkuarës jo fort paqësore. Ky është një argument i fortë për rëndësinë e zgjerimit dhe integrimit tonë në BE”, thotë Presidenti Meta.

Presidenti pyetet edhe në lidhje me korrupsionin. Ai thotë se shpreson që reforma në drejtësi ta luftojë këtë fenomen.

“Reforma jonë nisi me verifikimin e figurave të sistemit të drejtësisë, prokurorët, gjyqtarët. Është një reformë e fortë dhe e mbështetur fuqimisht nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, shoqëria civile dhe mediat. Shpresoj që me nisjen e procesit të verifikimit të figurave, të kemi shumë shpejt institucione të forta dhe të besueshme në luftën kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend dhe kjo do të krijonte edhe një klimë të mirë për investitorët e huaj”, shprehet ai.

Presidenti Meta foli edhe për terrorizmin, radikalizmin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, që i quajti të shkëlqyera.

13 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)