Politikë Presidenti thërret KLD-në. Diskutim për dhunën në familje

Presidenti thërret KLD-në. Diskutim për dhunën në familje

23
0
SHPËRNDAJE

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet të premten, për herë të parë nën drejtimin e kreut të ri të shtetit, Ilir Meta. Rendi i ditës, i siguruar nga Top Channel, me 7 pika kyçe ku bien në sy çështja për dhunën në familje.

Në rend dite është përfshirë raporti mbi ndjekjen e detyrave që ndiqen nga gjykatat për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje.

Bëhet fjalë për rastin e gjyqtares së Shkodrës Fildez Hafizi, për të cilën KLD, me urdhër të presidentit Meta ka nisur një proçedurë verifikimi për vendimin e marrë më 28 prill 2016 nga Gjykata e Kavajës ndaj Fadil Kasemit.

Dhe bashkë me të do të shqyrtohet edhe kryerja e hetimit për proçedurat e lëshimit të urdhërit të mbrojtjes për një tjetër çështje të nxehtë, vrasjen e Liljana Rukajt, nënës së dy fëmijëve që u vra nga bashkëshorti i saj në dhjetor të vitit të shkuar.

Pas vrasjes së Fildez Hafizit nga bashkëshorti, Meta bëri publike disa nisma në cilësinë e kompetencave që i jep posti i rëndësishëm që mban, duke deklaruar se nuk do të japë amnisti për të dënuarit për vepra penale në marrëdhëniet familjare.

Në mbledhje do të lexohet edhe raporti i ministrit të Drejtësisë për gjyqtarin Ergys Selmani, i cili akuzohet se në shkelje të ligjit ka neglizhuar zbardhjen dhe dërgimin në kohë institucioneve përgjegjëse të vendimit për urdhërin e mbrojtjes së gruas.

Në rendin e ditës do të shqyrtohet edhe raporti i Inspektoriatit të KLD për zbatimin e ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Dy do të jenë ndryshimet në përbërjen e KLD në këtë mbledhje, ajo do të drejtohet për herë të parë nga Ilir Meta, i cili do të jetë kryetar i këtij këshilli deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor; dhe ministrja e re e Drejtësisë, Etilda Gjoni.

13 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)