Kulturë Dashuritë do të jenë të pashmangshme

Dashuritë do të jenë të pashmangshme

205
0
SHPËRNDAJE

“Shumë zhurmë për asgjë”, komedia e njohur e Shekspirit, do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli këtë fundjavë nën regjinë e Carlo Sciaccaluga. Në role kryesore interpretojnë aktorët Myzafer Zifla, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Alert Çeloaliaj, Genci Fuga, Gjergj Mena, Endri Çela, Alban Musa, Frençeska Hysi, Esela Pysqyli dhe Ina Morinaj.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë i regjisorit të ri italian me teatrin shqiptar. Një vit më parë ai ngjiti në skenë veprën “Kthimi në shtëpi” të Harold Pinter. Por në “Shumë zhurmë për asgjë” ai do të japë idenë e të jetuarit të një bote sa të burrave aq edhe të grave. Përballja mes gjinive.

Në sfond të një lufte lumturisht të fituar, ushtarët fisnike të Don Pjetrit të Aragonës, në kthim prej luftës, mbërrijnë zhurmshëm në shtëpinë e Leonatit, guvernatorit të Mesinës. Bota mashkullore depërton dhunshëm në atë femërore: konfliktet dhe dashuritë do të jenë të pashmangshme. Në botën “e fortë” të meshkujve virtytet dominuese janë virtytet e meshkujve dominues : nderi, vlerat, vëllazëria mes ushtarësh, një vete ndërgjegjësim paksa i sëmurë.

Bota “e dobët” e femrave është viktimë e bastisjes mashkullore në rastin e Heros, vajzës se Leonatit, edukuar nga i jati për të qenë ekskluzivisht grua, e cila akuzohet pa të drejtë për tradhti bashkëshortore; ndërkohë te Beatricja, kushërira e saj, femrat gjejnë një përfaqësuese të seksit të tyre që përdor mjeshtërisht fjalët dhe intelektin për të krasitur armët mashkullore.

Është një komedi, e cila mbaron mire, por përplasjet janë të ashpra, dhe vetëm falë vullnetit dhe inteligjencës ngjarja nuk përfundon në tragjedi. “Nëse qenia njerëzore është e gatshme të ndryshojë idetë apo ndjenjat e veta, dhe nuk i ngurtëson ato verbërisht, edhe fati më i trishtë mund të shndërrohet në gëzim.

Dhe kjo është ajo çka bëjnë Benediku dhe Beatricja, njeri misogjen cinik, tjetra beqare profesioniste, armiq të përbetuar të martesës por që, përballë fatit të tmerrshëm të dashurisë mes dy të rinjve Klaudit dhe Heros, zbulojnë se dashurojnë njëri tjetrin”, thotë regjisori. Ata braktisin rolin që vetë e kishin krijuar, e që prej të cilit ishin burgosur.

Tema është e përjetshme : mashkulli ka nevojë për femrën dhe anasjelltas. Kjo dihet. Dhe dihet sa e vështirë është ta gjejmë njeri- tjetrin. Por ajo çka Shakespeare na thotë, ndoshta mbi të gjitha, në këtë komedi, është kjo: triumfi i qenies njerëzore arrihet kur i besojmë inteligjencës, fantazisë, lirisë së mendimit praktik.

Ngurtësia është vdekje, dakortësia me vetveten përtej limiteve është shpesh edhe shenjë idiotësie. Në fakt, tragjedia rrëfen fatin e një individi të paaftë për të ndryshuar realitetin e tij, dhe arrin deri aty sa të shkatërrojë vetë botën në të cilën jeton, ndërsa komedia rrëfen fatin e një komuniteti që, duke ndryshuar, e përmirëson jetën për gjeneratat e ardhshme.

3 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)