Opinion KATALONJA NUK KA ASNJË LIDHJE ME KOSOVËN

KATALONJA NUK KA ASNJË LIDHJE ME KOSOVËN

270
0
SHPËRNDAJE

Nga Denar BIBA*

Në një shtet e shoqëri të organizuar sipas rregullave demokratike, vërtet që pushteti i takon popullit (sovrani), por populli – përveçse një nocion romantik i lëvizjeve nacionaliste të shek.XIX – është “tutus populi”, ai që ka qenë, ai që është e ai që do të jetë, e nuk duhet të përshkëmbehet me tërësinë e individëve që gjallojnë në një moment të caktuar historik në një territor të dhënë gjeografik. Jo; këto janë thjesht turma! Për pasojë, vullneti i tyre në lidhje me një çështje të caktuar, si psh ndarja nga shteti mëmë në kuadrin e një lëvizjeje separatiste/indipendentiste (rasti i Katalonjës nga Spanja), bie ndesh me rregullimet kushtetuese, të cilat përbëjnë kodin bazë të funksionimit të asaj shoqërie e që konsiderohet a priori i paravendosur.

Nuk ka asnjë paralele mes lëvizjes e vullnetit vetëvendosës së popullatës shqiptare, banore autoktone të Kosovës dhe pavarësimit të saj nga Serbia (shtet i një popullate tjetër, të mirëdallueshme) dhe kësaj çka po ndodh në Katalonjë, gjithë ndërmjet spanjollësh.

Nga ana tjetër, e paqartë mbetet e ardhmja e kësaj krahine (rajoni), në hipotezën se referendumi do të ishte legjitim dhe i pranuar mbarëkombëtarisht. Në këtë rast, Katalonja – që nga ana e saj pretendon se është zona më e zhvilluar ekonomikisht e Spanjës dhe se me taksat e banorëve të saj po mban me bukë “parazitët” e rajoneve të tjera të pazhvilluara – do ta gjente veten automatikisht jashtë BE dhe do të vuante pasoja shumë të rënda ekonomike.

Ripranimi në BE do të ishte i pamundur, më së paku për shkak të votës kundër Spanjës, por me siguri edhe të shteteve të tjera anëtare me probleme lëvizjesh separatiste brenda tyre (Franca, Italia, Belgjika, Rumania, Hungaria etj.etj.).

Pikërisht, sepse çdo lëvizje separatiste e që i fryn zjarrit të nacionalizmit është në thelb e kundërta e asaj çfare simbolizon BASHKIMI(!!!) Europian, sanksionet (e drejtpërdrejta apo të pashpallura si të tilla) do ta dëmtonin ekonominë e Katalonjës me shumë nga sa supozohet se e dëmton rrjedhja e të ardhurave që gjenerohen në territorin e saj drejt territoreve më pak të zhvilluara të Mbretërisë Spanjolle.

Duke përfunduar këtë shënim të shkurtër mbi ngjarjet në Katalonje, sjell në mendje se pas kësaj mund të kemi edhe riaktivizimin e njësive terroriste të ETA-s…

Demokracia është në krize. Pas Luftës II Botërore, njerëzit e keqkuptuan demokracinë për kapitalizmin; kapitalizmin e barazuan me paranë dhe paranë e vunë në vend të Zotit. Tashmë kemi shkuar shume larg, kemi humbur vlerat morale që na bënin “njerëz”, për pasoje nuk po dimë më çtë bëjmë edhe me “pushtetin e popullit”…

*Ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

3 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)