Sociale Rrëfehet Silvana Loka: Si e fitova luftën me kancerin e gjirit

Rrëfehet Silvana Loka: Si e fitova luftën me kancerin e gjirit

297
0
SHPËRNDAJE

E fortë, e guximshme, e qeshur dhe plot pozitivitet psikologia Silvana Loka rrëfeu në “Pasdite në Top Channel” historinë e saj të betejës me kancerin e gjirit.

“Ishte një kontroll rutine ku mjeku konstatoi një mase, e cila nuk ishte një vit më parë, për 24 orë unë kisha bërë të gjitha analizat e tjera për të parë nëse ishte tumor. Dy ditët e para, njerëzit e mi të afërt kishim rastisur jashtë dhe e kam përjetuar vetë. Them fizikisht sepse ata sigurisht qe ishin pranë meje. Bëra kontrollet rutinë dhe u futa në një proces të përballjes me diagnozën, duke menduar çdo gjë” tha Silvana.

Duke kujtuar ditët e vështira psikologia tregoi se si ua tregoi familjareve lajmin për sëmundjen. “Nuk kam pyetur kurrë veten, perse unë? Kam pasur një jetë të shëndetshme gjithmonë, por ndërkohë kjo është një sëmundje shumë e përhapur në botë. Kisha qarë dy herë e gjysmë, në të treten thashë Silva stop, duhet të jesh e fortë. Unë jam natyrë që besoj se në jetë s’kemi mundësi të zgjedhim çfarë betejash të bëjmë, por si të luftojmë betejën që vendosemi. Biseda me familjaret ishte shumë e vështirë. Duhet t’ia komunikoja burrit, vajzave, ishte shumë e vështirë” tregoi Silvana ne bisede me Jonida Shehun.

Silvana, me shami në koke, tregoi si u përball me faktin që flokët do t’i binin gjate kimioterapisë.  “Vendosa qëllimisht të mos pranoja një mundësi që më thanë doktorët se gjatë kimioterapisë mund të ruaja flokët nga rënia. Jam prind i dy vajzave, unë dëshirova që vajzat e mia ta njihnin diagnozën të plotë, me të gjitha kostot. Dua që vajzat e mia kur te shikojnë fotot e mia vitale të kuptojnë që asgjë s’iu ishte fshehur pas gishtit”, tha Silvana në “Pasdite në Top Channel”.

Më tej Silvana tregoi se gjatë gjithë trajtimeve u përpoq të mos ndryshonte asgjë në rutinën e jetës së saj, duke mos hequr dorë nga angazhimet, puna dhe familja. “Një herë kur shkova për kimioterapi, doktoresha me tha paske shkuar në punë. I thashë pse ku e kuptove ti, e shikoj në sytë e tu më tha. Në fakt më ka ndihmuar shumë fakti që zgjodha ta përballoj në këtë mënyrë sëmundjen” tha Silvana.

 

Një tjetër moment i rëndësishëm në betejën e Silvanës ishte dhe kur vendosi të heqë shaminë. “Kur kam hequr për herë të parë shaminë,kam parë reagime nga më të ndryshmet. Në njërën nga pasditet shkoj te marketi i lagjes dhe djali i njërës nga mikeshat e mia më pyet pse i ke flokët e sheshte, babai i tij u vu në siklet. Pse e pyet teta Silven dhe e vë në siklet, jo i thashë prit se duhet t’i përgjigjem. I thashë teta ka pas një sëmundje dhe do t’i kaloje tetës dhe do kem sërish flokët e kuqe kaçurrele. Unë jam për të treguar gjithmonë të vërtetën. Ata kishin biseduar në familje dhe fëmija i kishte thënë se teta Silva kishte një sëmundje e tani po shërohet dhe do ketë sërish flokët e bukur kaçurrela” tregoi me emocion Silvana. “Duhet të theksoj që gratë dhe vajzat që vuajnë nga kjo sëmundje kanë nevojë për shumë mbështetje” tha Silvana në “Pasdite në Top Channel”.

4 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)