Kulturë “Kujtesa e gjakut” e Lala Meredith-Vulës, ekspozohet tek Marubi

“Kujtesa e gjakut” e Lala Meredith-Vulës, ekspozohet tek Marubi

54
0
SHPËRNDAJE

“Urtësi sot e mot”  quhet ekspozita e artistes Lala Meredith Vula e cila do të hapet më 20 tetor në Muzeun e fotografisë Marubi, në Shkodër, nën kurimin e Monika Szewczyk. Kjo ekspozitë sjell në Muzeun Marubi dy seritë më përfaqësuese të artistes: (Mullarët) dhe Blood Memory (Kujtesë Gjaku).

Përzgjedhje fotografish nga këto dy punë janë ekspozuar në Athinë dhe Kassel, në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare documenta 14, por ekspozita përbën një rast unikal për t’i parë të dyja seritë të ekspozuara së bashku. Përveç tyre, një imazh historik- ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914- është përfshirë këtu për të hapur një dialog mes imazheve unike të Meredith-Vula dhe trashëgimisë së pasur të dinastisë Marubi.

Një ditë pas ekspozitës artistja do të vijë në një bisedë mbi veprat dhe artin sot me kuratoren Monika Szewczyk. Lala Meredith-Vula ka lindur në Sarajevë në 1966 nga një baba kosovar dhe një nënë angleze. Në vitet ’70 u zhvendos në Britaninë e Madhe.

Studioj Artet e Bukura në Goldsmiths’ College pranë Universitetit të Londrës (1985/88). Ekspozita e saj e parë u organizua në kuadër të ekspozitës “Freeze” të artistit të mirënjohur britanik Damien Hirst (Londër 1988), ekspozitë e famshme kjo për linçimin e artistëve të rinj britanikë. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e 48-të të Venicias në vitin 1999. Ka punuar për shumë ekspozita vetjake përfshirë këtu Photographers’ Gallery, Londër si dhe ekspozita të tjera në Gjermani, Itali e Shqipëri. Meredith-Vula ka marrë pjesë edhe në ekspozita në grup në Britaninë e Madhe, SHBA, Kinë dhe vende të tjera europiane.

Në vitin 2016 ka qënë një ndër kandidatet e përzgjedhura për Deutsche Börse Foundation Photography Prize 2016 për ekspozitën e saj “Kujtesë gjaku” në Galerinë e Arteve të Kosovës. Në vitin 2017 punët e saj u përzgjodhën për documenta 14 në Athinë dhe Kassel.  Ndërsa kuratorja Monika Szewczyk ka qenë pjesë e stafit kuratorial të documenta 14. Ajo ka qenë kuratore e programit të arteve vizuale në Reva dhe David Logan Center for the Art.

Szewczyk ka qenë përgjegjëse për publikimet e Witte de With Center for Contemporary Art në Roterdam (2008-2011), asistente kuratore në Vancouver Art Gallery (2004–07) dhe përgjegjëse e programit të ekspozitave të University of British Columbia’s Morris dhe Helen Belkin Art Gallery Satellite Gallery në Vancouver. Ka qenë lektore pranë Emily Carr Univeristy në Vakuver, Piet Zwart Institute në Roterdam, Bergen National Academy. Shkrimet e Szewczyk janë publikuar në shumë katalogë e revista përfshirë këtu Afterall, Artforum, Mousse, e-flux journal online.

9  tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)