Sport Panuçi premton Shqipëri sulmuese: Të dalim nga “guacka”

Panuçi premton Shqipëri sulmuese: Të dalim nga “guacka”

77
0
SHPËRNDAJE

Nëse katër ndeshjet e fundit i shërbyen për të njohur skuadrën dhe për të eksperimentuar, pas mbylljes së kualifikueseve të Botërorit 2018 Christian Panuçi e ka një ide të qartë të asaj që do të bëjë Shqipëria. Trajneri premton një skuadër sulmuese në të ardhmen, që do të kërkojë të marrë rezultate nëpërmjet lojës.

“Jam i kënaqur nga paraqitja e Kombëtares në dy ndeshjet e fundit. Luajtëm mirë ndaj Spanjës, skuadrës më të fort në botë, ndërsa ndaj luajtëm si të barabartë, duke krijuar edhe 3-4 raste për shënim. Jam i kënaqur për idenë që po përpiqemi ti japim skuadrës dhe që lojtarët po më ndjekin. Ideja është të mos bëjmë më hapa mbrapa, por hapa përpara. Në dy miqësoret që do të zhvillojmë në Nëntor do të provojmë skemat me dy sulmues. Kemi një vit kohë për të përgatitur Europianin 2020. Jam i sigurt se kjo skuadër e ka cilësinë që të dalë nga zona e sigurisë dhe provojë të bëjë më tepër përpara. Duhet të dalim nga mbrojtja, por duke njohur edhe ato që janë difektet tona.”

Shqipëria sulmuese është një kërkesë edhe e vetë lojtarëve, që i kanë shfaqur dëshirën trajnerit për të guxuar. Duke nisur ndoshta nga Liga e Kombeve, aty ku kuqezinjtë do të përballen me rivalë thuajse të të njëjtit nivel.

“Jemi në fillim të një rrugëtimi. Por, duhet të krijojmë një ide dhe një bindje. Nuk do të kemi rastin të përballemi gjithmonë me Spanjën, ndërsa me ndeshje si këto të fundit besoj se mund të kishim fituar përballë ekipeve si Norvegjia apo Zvicra. Unë do të punoj për të luajtur futboll, pasi kjo skuadër i ka mundësitë. Nuk do të luajmë 3-5-2 apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do ti luajmë ndeshjet tona me kurajo.

Ideja është që të shkojmë të marrim pikë. Lojtarët më duken të bindur për atë që po bëjmë, skuadra di ta luajë futbollin që kërkoj. Absolutisht nuk duhet të heqim dorë nga cilësia për sasinë. Duhet të dalim nga “guacka”, sepse këtu njerëzit kanë dëshirë të jetojnë dhe këtë e shoh edhe te skuadra. Djemtë më thonë që duan të provojnë të luajnë në sulm dhe fakti që luajtëm si të barabartë me Italinë është një sinjal që mund të bëjmë më tepër.”

Problemi kryesor i Kombëtares sipas Panuçit është intensiteti i lojës në disa liga ku aktivizohen lojtarët dhe kjo pasqyrohet edhe me rënien fizike të skuadrës në ndeshje.

 

“I vetmi shqetësim lidhet me faktin që shumë lojtarë luajnë në Zvicër, Greqi apo Rusi. Intensiteti i stërvitjeve apo i lojës në ato kampionate është shumë i ulët. Këtë problem kam: nëse unë e ngre rritmin e stërvitjes, ata lojtarë lodhen. Do të doja të punoja tre muaj me ekipin që ti bëj të ndjejnë muskujt që dridhen. Me Italinë në minutën e 65-të lojtarët ranë fizikisht, megjithatë dua ti falenderoj, sepse dhanë gjithçka në fushë. Ndoshta dikush u mërzit se i bëra të vraponin shumë, por të gjithë treguan shumë profesionalitet. Jam i bindur se na pret një e ardhme e ndritur.”

Drejtuesi i stolit kuqezi foli edhe rreth ndryshimeve në ekip. Nga enigma Albian Ajeti që duket se po pret Zvicrën, te dera e hapur për Manajn, afrimin e disa lojtarëve nga Kombëtaret e moshave dhe nisja e turit të vëzhgimeve, me një listë prej 15 lojtarësh të shpërndarë nëpër Europë.

“Do të nis udhëtimet për të gjetur lojtarë të rinj. Në ndeshjet e përfaqësueses së 19-vjeçarëve dhe te ekipi Shpresa do të vëzhgoj dy-tre lojtarë që më pas do ti testojmë në ndeshjet miqësore.

Albian Ajeti më jep ndjesinë që po pret Zvicrën. Gjithsesi unë do shkoj ta takoj për të kuptuar çfarë dëshiron. Do të vëzhgoj edhe Manajn te Granada. Kam dëgjuar që është i vështirë, por kështu më thanë edhe për Xhakën. Megjithatë, kur e takova Taulantin ballë për ballë, ai më krijoi bindjen se nuk më tradhëton dhe është i gatshëm të vdesë në fushë. Edhe Manajn duhet ta njoh personalisht për të vendosur.

Në sulm dhe në mesfushë kemi mjaft alternativa, por duhet të gjejmë lojtarë në mbrojtje. Agolli është 35 vjeç dhe në Europian do të jetë 37. Tani është shumë mirë, por duhet të mendojmë edhe në perspektivën e Europianit, ku aktualisht kemi dy të rinj si Balliu dhe Memolla. Do të ndjek Lilajn me Skënderbeun në Europa League, ndërsa kam edhe një listë me 10-15 lojtarë që do ti shoh, të cilët luajnë në Gjermani, Greqi, Austri apo Sllovaki ku luajnë disa lojtarë. Duhet të studiojmë gjithçka që mund të na ofrojë Europa. Ky ekip ka nevojë për kualitet.”

 

10 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)