Botë Pas Las Vegasit rishfaqet debati mbi armëmbajtjen

Pas Las Vegasit rishfaqet debati mbi armëmbajtjen

53
0
SHPËRNDAJE

Një javë pas masakrës më të rëndë me armë zjarri në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, po zien përsëri debati për kufizimet mbi të drejtën e armëmbajtjes. Përpjekje të njëpasnjëshme për ligje të reja kufizuese kanë dështuar në të kaluarën në Kongres. Korrespondenti Michael Bowman njofton se po bëhet një përpjekje e re për të nxjerrë jashtë ligji një pajisje që i dha mundësi autorit të masakrës në Las Vegas të përdorte armët me një rezultat shumë më vdekjeprurës se ç’kishin aftësi fillimisht: Sulmi në Njutaun të shtetit Konektikat, më pas në Çarlston të Karolinës së Jugut, në San Bernadino të Kalifornisë e shumë incidente të tjera shkaktojnë dhimbje, revoltim dhe zgjojnë thirrje për veprim. Por deri tani Kongresi nuk ka vepruar.

“Jemi mbledhur nga trishtimi, tronditja dhe dhimbja e përbashkët për të vrarët dhe të plagosurit e familjet e tyre,” – u shpreh Nënpresidenti Mike Pence. Ndërkohë që kujtohen viktimat në LasVegas, në të dyja Dhomat e Kongresit janë hartuar projekt-ligje për të ndaluar pajisjet që u japin mundësi armëve gjysmë-automatike të qëllojnë me breshëri thuajse të ngjashme me armët automatike. “E vetmja arsye përse i bëhen modifikime armës është që të mund të vrasësh sa më shumë njerëz brenda një kohe sa më të shkurtër,” shprehet Senatorja Dianne Feinstein.

Shoqata Kombëtare e Armëve, grupi më i madh lobist për të drejtën e armëmbajtjes, javën e kaluar sinjalizoi se mbështet “vendosjen e rregulloreve shtesë” mbi pajisje që intensifikojnë breshërinë e armës. Ata që kërkojnë kontroll mbi armëmbajtjen duan masa më të forta: “Rregulloret janë mënyra për të krijuar vonesa. Ne duam të ndalohen këto pajisje,” tha Senatori Richard Blumenthal.

Për momentin, Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente për ndonjë prej propozimeve. “Duam të përfshihemi në këtë diskutim. Duam të mbledhim informacion, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në ditët e ardhshme,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë. Kreu i republikanëve në Senat la të kuptohej se nuk është shumë entuziast që të paraqesë për votim projekt-ligje mbi armët.

10 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)