Politikë Reforma në Hipoteka, hapet konkursi për drejtuesit e rinj

Reforma në Hipoteka, hapet konkursi për drejtuesit e rinj

243
0
SHPËRNDAJE

Ministrja e Drejtësisë ka bërë me dije vendet e reja të punës, më konkretisht për drejtuesit e rinj të Hipotekave. Etilda Gjonaj në një dalje për mediat mesditën e sotme tha se ky konkurs synon ti japë qytetarëve shërbim dinjitoz dhe të ndershëm.

“Ky është hapi i parë i reformës në hipoteka. Reforma e cila përfshihet në planin e veprimit 100 ditor të qeverisë  për reformimin e shërbimeve publike për titujt e pronësisë dhe do të vijojmë më tej me organizmin e konkurrimit për të gjithë personelin e të gjithë zyrave të hipotekave në vend. Është përmirësimi i këtij shërbimi si dhe zhdukja e çdo rasti korruptiv arsyet që na çojnë sot në hapjen e konkursit publik, një praktikë që nuk ka ekzistuar më parë”, u shpreh Gjonaj.

Ajo ftoi të gjithë qytetarët që mendojnë se përmbushin kriteret të bëhen pjesë e kësaj reforme që sapo ka filluar. “Procesi do të jetë transparent për të zgjedhur profesionistët dhe personat e përshtatshëm. Konkursi është hapi i parë që po hedhim”, tha ministrja Gjonaj.

Kryeministri Edi Rama i ka kritikuar jo rrallë Hipotekat, ku pak kohë pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit, kërkoi dorëheqjen e drejtorëve të Hipotekave, pas një takimi që pati në Kryeministri me zyrtarët e këtij institucioni.

10 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)