Ekonomi “TVSH për të gjithë”, FMN kundër qeverisë

“TVSH për të gjithë”, FMN kundër qeverisë

217
0
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është dakord me vendimin e qeverisë për të futur biznesin e vogël në skemën e TVSH-së.

Top Channel ka mësuar se gjatë diskutimeve me qeverinë, misioni i FMN-së ka shprehur rezerva për këtë nismë, duke dhënë dhe argumentet përse.

FMN mendon se shtrirja e TVSH-së mbi biznesin e vogël mund të krijojë probleme me administrimin, duke rritur kostot për Tatimet dhe duke mos sjellë të ardhurat që pretendohen për buxhetin e shtetit.

Përfshirja e 70 mijë bizneseve të vogla në TVSH nënkupton se administrata fiskale do të duhet të përpunojë rreth 100 mijë deklarata shtesë TVSH-je të paktën një herë në tre muaj.

Paralelisht, inspektorët e Tatimeve do të duhet të kontrollojnë me mijëra kërkesa për rimbursim nga biznesi i vogël, çka mund të vështirësojë më shumë punën e administratës.

Skeptizicmi i FMN për futjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së është i hershëm, pasi kjo nuk është hera e parë që në Shqipëri diskutohet një nismë e tillë.

Por sa herë që qeveritë kanë tentuar ta vënë në jetë atë janë përballur me kundërshtimin e Fondit. Madje, ky është një qëndrim që FMN nuk e mban vetëm në Shqipëri, por edhe në ekonomitë e tjera.

Në dokumentet zyrtare të publikuara nga Departamenti i çështjeve fiskale të FMN rekomandohet që pragu i TVSH-së të mos jetë asnjëherë zero, por biznesi i vogël të mbetet i përjashtuar deri në një kufi xhiroje, i cili varion nga njëri vend në tjetrin.

11 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)