Extra Kuriozitete Asteroidi sa një shtëpi pritet t’i kalojë shumë pranë Tokës sot

Asteroidi sa një shtëpi pritet t’i kalojë shumë pranë Tokës sot

291
0
SHPËRNDAJE

Një asteroid me përmasat e një shtëpie është shumë pranë tokës e do t’i afrohet planetit tonë në një distancë prej 42 mijë km, që do të thotë brenda orbitës së hënës dhe pak mbi lartësinë e satelitëve të komunikimit.

Nuk ka asnjë rrezik përplasjeje, siç shpjegojnë shkencëtarët e NASA-s, por episodi do t’i ndihmojë ata të testojnë sistemin e paralajmërimit nga asteroidët. Një rrjet global teleskopësh do ta monitorojë afrimin e objektit të konsideruar mjaft interesant.

“Ne do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të praktikuar sistemin që vëzhgon këta trupa qiellorë për të kuptuar veçoritë e tij karakteristike e për të llogaritur sa mund të afrohet. Na duhet të dimë në rast se ndonjë ditë vjen ndonjë asteroid që mund të godasë vërtetë”, tha Paul Chodas.

I ashtuquajturi 2012 TC4, u pikas për herë të parë në 2012-tën. Përmasat e tij janë diku tek 15 me 30 metra, çka e bën relativisht të vogël, por dhe gurët hapësinore mund të bëhen mjaft të rrezikshëm nëse arrijnë të bien në Tokë.

Kur një asteroid 20 metra i gjerë u rrëzua në Chelyabinsk të Rusisë në 2013-tën, ai u përplas në atmosferë me një energji të barasvlefshme me 500 mijë ton tritol, duke shkaktuar valë të fuqishme që dëmtoi banesa e plagosi mbi 1 mijë persona. Pika më e afërt e TC4-trës me Tokën do të jetë mbi Antarktidë.

12 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)