Opinion DEMARKACIONI DHE LIGJET E MARFIT

DEMARKACIONI DHE LIGJET E MARFIT

75
0
SHPËRNDAJE

Fadil LepajaFadil LEPAJA

Nuk është shkruar gabim. Ose më saktë,  është gabim i qëllimshëm. Ky shkrim ka të bëjë sa me (mos)marrëveshjen e demarkacionit aq edhe me dermakacionin. Nëse bëni pak durim, do e japim edhe kuptimin e kësaj të dytës. Nuk do të marrë aq shumë kohë sa nevojitet  të kuptohet vet demarkacioni. E demarkacioni është lidhur nyje! As andej as këndej. Dikush i ka marrë mësysh marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Malit të zi. Si asnjëherë më parë, gjithçka po zhvillohet në sipërfaqe, thjesht nuk duket se ka sfond, as kontekst. Po duket e kuptueshme, prapëseprapë  krejt  analizat po ja huqin. Ekspertët e krizave thonë, se krizat e tilla pa kuptim, janë më efektivet. Kurkush as kurrqyshë nuk mundet me i zgjidhë dhe nga kjo del që vetvetiu kriza është qëllim në vete. Ekzistimi i krizës faktorizon forca të cakëtuara, të cilat po të mos ishte ajo, do të humbisnin rëndësinë.

Nuk ka dyshim, se kjo nye gordiane, nuk mund të shpjegohet me arsye të shëndoshë. Të gjitha palët bëjnë presion, duke u thirrur në interesin e qytetarëve për liberalizim vizash, ndërkohë që duket se askush nuk është i interesuar për këtë, përpos qytetarëve. Kjo e shpjegon pak a shumë edhe arsyen e ekzistimit të një krize pa kuptim. Por, duke qenë se sipas ligjit të termodinamikës, të Marfit, kuptohet, se nën presion gjërat shkojnë edhe më keq, atëherë, një pjesë e opozitës së dikurshme e cila tash erdhi tash në pushtet, i ka komplikuar gjërat. Kryeministri i ri po do me zgjidhë problemin. Zgjidhja e problemit krijon problem. Kështu, që konflikti  në mes opozitës dhe pozitës, për këtë çështje mori karakter tjetër. Tash vet shteti ka konflikt të brendshëm, mes institucioneve.

Por, Presidenti i vendit, pa ndonjë arsye të veçantë, të dukshme për publikun, ka filluar të kruhet. I ka hipë një shqetësim dhe një interes që çështja e demarkacionit të mos hetohet. “Gjithçka kërkon më shumë kohë, sesa që ti mendon”- kështu thotë një tjetër nga ligjet e Marfit.  Edhe Marfi, ishte amerikan, përndryshe  të citoja këdo tjetër nuk do të kishte peshë kur presidenti thirret pandërprerë në SHBA, BE dhe krejt miqtë ndërkombëtar dhe poston në profilin e tij foto me ʼta.

Por, presidenti si duket e pëlqen më shumë ligjin tjetër, poashtu të Marfit, amerikanit tonë simpatik, jozyrtar,  i cili thotë se “Çdo zgjidhje, krijon probleme të reja”. Sa herë kishte një zgjidhje, të cilën mendonte që të ia shiste (politikisht) bashkësisë ndërkombëtare, presidenti e krijonte një problem. Kështu pak a shumë aludonte dikur miku i tij, ish administratori i Kosovës, z. Kushner. Hajde, kontestoje Marfin, nëse mundesh.

Tash qeveria e re, konform ligjit të Marfit, që e cituam më lart, e ka marrë rehat punën e demarkacionit me Malin e Zi. Edhe pse po vijnë nga krejt bota emisar me na e tregua kufirin, emisarë gjithsesi të besueshëm, por që mund të mos kenë as idenë më të vogël përse disa kufij në Afrikë, pasi që shkojnë me mijëra kilometra drejt, për një moment devijojnë, për tu shndërruar përsëri në drejtëz. Ata vetëm e dinë se kështu vizatohen kufijtë e kolonive. Punë e madhe sa miliona kub rërë mbeten këndej apo andej linjës që e vizatuan diplomatët, nga zyrat e ngrohta,  pa e shkelur kurrë me këmbë atë tokë. Por, Kosova nuk është koloni. Kosova është mik. E dini atë rrëfimin me luanin dhe miun? Nejse !

E Shpëtimi, qysh po e shohim nga mediat,  ka dalë maleve, me gjasë për me e pa se çka dhe a mund të shpëtohet diçka nga marrëveshja e famshme, e cila mbeti e pa votuar në parlament. U votua, apo nuk u votua, nga bashkësia ndërkombëtare ajo u mor si e plotfuqishme,  dhe kështu Mali i Zi hyri në NATO, falë zotit i papenguar prej nesh.

Edhe Rambo, për ne që vërtetë nuk e dimë, po thotë se e di ku i bie kufiri, dhe kjo tingëllon besueshëm, më besueshëm se sa presidenti i cili së fundmi po paragjykon se nuk ka asgjë prej komisionit të ri, përpos zhurmës së kotë, përmes mediave.

Por të kthehemi pak te titulli, i kolumnës. Do të thoni se tema e demarkacionit është shumë serioze dhe se nuk bëhet shaka e tillë,  duke e ngatërruar me dermakacionin i cili, as si shprehje nuk ekziston, nëse përjashtojmë se rrënja e fjalës megjithatë e ka kuptimin e lëkurës. Po i kruhet de! A nuk ka kuptim? E kërkon shprehjen në “google” dhe nuk të jep asnjë kuptim të përafërt. Pastaj kfillet veç kur të mundohesh me kuptua se kujt po i kruhet lëkura? Derma, sipas “google”, na del të jetë lëkurë, ndërsa kjo prapashtesa e shtuar nga unë bënë veç një politizim të skajshëm dhe të pakuptimtë të sajë. Pra,e bënë të duket si politikë.

Pra, cili është kuptimi i dermakacionit. Po de, në politikë ? Çka ka presidenti që po kruhet, a mos i ka ra dermakacioni?  Kohëve të fundit  aty po i kruhet  dhe nuk po i zihet vendi vend, me deklarata lidhur , e pa lidhur me komisionin e ri të cilin kryeministri i vendit e ka formuar sapo e mori mandatin qeverisës. Pra, kush ka të drejtë: Meha apo Bulliqi?

Nëse del del se komisioni i kaluar kishte punuar  gabim, atëherë komisioni i vjetër dhe nënshkruesit e marrëveshjes, do të thirren në përgjegjësi politike, e ndoshta edhe penale. Nëse del se komisioni i mëparshëm kishte punuar mirë, atëherë  nuk mbetet asnjë pengesë që demarkacioni të votohet nga të gjithë. Pra, komisioni i ri, mund të ofroj një zgjidhje. Por si thamë edhe më heret, zgjidhja nuk është zgjidhje.

Kriza është zgjidhje, sepse ka shumë gjasë që nga fillimi të jetë e konceptuar si e tillë. Me angazhimin e fundit, presidenti përsëri po na e kujton Marfin, përkatësisht një nga ligjet e tij, që thotë se,  “nëse nuk mundesh me e bindë dikë, hutoje”. Por duket, se Rambo nuk po hutohet. Përkundër shqetësimit presidencial, ai e ka lëshua topin në tokë. Të shohim çka po bëhet.

U pa puna se kjo çështje, nuk mundet me ra më poshtë. Komisioni i ri mundet veç me kontribue për mirë, sepse siç do të thoshte miku ynë,i mirë, Marfi ….!

As Marfi, më nuk ka çka të thotë, për këtë punë. Po mëson nga ne…

9 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)