Ekonomi BSH: Ekonomia po rritet. Meta: Rritja 3.5%, e pamjaftueshme

BSH: Ekonomia po rritet. Meta: Rritja 3.5%, e pamjaftueshme

43
0
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare po kalon një moment pozitiv, i cili pritet të zgjasë edhe vitin e ardhshëm.

“Tremujori i fundit i vitit e gjen ekonominë shqiptare në një situatë ekonomike në përmirësim të vazhdueshëm. Treguesit e rritjes ekonomike dhe punësimit janë në kurbë rritëse dhe pritshmëritë për vitin 2018 janë pozitive. Një tablo pozitive karakterizon edhe stabilitetin financiar të vendit, siç tregohet nga rënia e ndjeshme e kredive të këqija”, tha Sejko.

Edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj ndan të njëjtin qëndrim. Sipas tij, forcimi i rritjes ekonomike ka rritur të ardhurat e qytetarëve: “Një nga aspektet më pozitive të zhvillimit ekonomik është përgjigjja e tregut të punësimit ndaj rritjes ekonomike. Vetëm në vitin 2016 janë 65 mijë vende të reja pune në ekonomi”.

Por, Presidenti i Republikës është më i përmbajtur. Ilir Meta tha se rritja aktuale e ekonomisë është e pamjaftueshme për të rritur mirëqënien e pjesës më të madhe të familjeve: “Kthimi i ekonomisë në ekuilibër, duke nënkuptuar një rritje ekonomike afatmesme prej 3.5% është sërish i pamjaftueshëm për të garantuar një efekt të prekshëm mbi shtresat e gjera të shoqërisë. Në këtë kuadër, progresi i reformave strukturore është jetik për të mbështetur konvergimin e shpejtë ekonomik dhe institucional me vendet e BE”.

10 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)