Kulturë Si u vra Themistokli Germenji…

Si u vra Themistokli Germenji…

384
0
SHPËRNDAJE

Një patriot shqiptar si Themistokli Germenji, i cili në kohët e errëta të Luftës së Parë Botërore kërkonte veç lirinë e vendit të tij, ishte aq i sigurt para togës së pushkatarëve sa t’u bënte këtë kërkesë: “Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vet urdhrin për zjarr.” Më tej se kaq sigurisht janë dëgjuar krismat e thata të armëve, ndërsa vetë Lufta e Parë Botërore ishte në përpëlitjet e fundit të saj gjë që nuk do të mund të shuante sherret e vjetra ballkanike për dominim territoresh.

Ky ishte dhe fundi i atij luftëtari, i cili inicioi krijimin e krahinës autonome të Korçës, e që sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar. Dr.Dorian Koçit: “Kjo vrasje politike duhet sqaruar plotësisht para opinionit publik shqiptar në mënyrë të tillë që organizatorët e pushkatimit të Themistokli Germenjit të mos i shpëtojnë gjyqit të historisë”.

Në vigjilje të 100-vjetorit të vrasjes së Themistokli Germenjit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari nën logon e njohur tashmë “Një pasdite në muze” me temë: “100-vjetori i vrasjes së Themistokli Gërmenji”. Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këtë takim shkencor, ku referuan Dr.Dorian Koçi, Dr. Paulin Marku, dhe specialisti pranë muzeut Stefan Tetollari. Në takim kishte dhe shumë të ftuar mes të cilëve dhe shumë nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Tiranë.

“Republika e Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin veprime politike që kishin shbërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në rajon”. E po sipas Dr.Koçit: “Reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon”, u shpreh Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa Dr. Paulin Marku kërkues shkencor në Departamentin e Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar në Institutin e Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën: “Kontributi politik i Themistokli Gërmenjit në vitet 1915-1917”. “Themistokli Germenji ishte për bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare pa dallim feje e krahine. Atij nuk i interesonte se kush do ta fitonte Luftën ndër palët ndërluftuese, por ishte i interesuar që të ruhej tërësia tokësore e Shqipërisë vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Themistokli Germenji shprehej se duhej luftuar për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për këtë nuk mjaftonte vetëm lufta diplomatike por duhej ndjekur edhe rruga ushtarake me kryengritje të armatosur”, u shpreh Dr Marku. Ndërsa Stefan Tetollari, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, në kumtesën e tij do të shtonte: “Diplomacia franceze nuk ishte dakord me nënshkrimin nga ana e ushtarakëve të tyre të një protokolli ku i jepej autonomi Korçës së pushtuar prej Armatës së Lindjes, pasi kjo binte ndesh me orientimet pro greke të qeverisë së Parisit.

Franca do t’i përkrahte më shumë pretendimet greke ndaj me kërkesën e qeverisë së Venizellosit ata filluan të ndiqnin dhe arrestonin patriotët kryesorë korçarë. Me akuza të sajuara u arrestua dhe udhëheqësi kryesor i lëvizjes atdhetare të Korçës Themistokli Germenji, i cili u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes në Selanik në 9 nëntor 1917”. Kumtesat e tre historianëve që referuan në këtë aktivitet përkujtimor u pritën me duartrokitje nga të pranishmit nga të cilët nuk munguan as pyetje për të marrë më shumë informacion mbi këtë ngjarje.

10 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)