Politikë Ligji i Luftës dhe “Deti”, Kotzias-Bushati diskutojnë temat e nxehta

Ligji i Luftës dhe “Deti”, Kotzias-Bushati diskutojnë temat e nxehta

513
0
SHPËRNDAJE

Vijojnë bisedimet tashmë prej më shumë se 24 orë në ishullin e Kretës, ku ministrat Bushati dhe ai grek Kotzias, së bashku me stafet e tyre të afërta janë duke diskutuar të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.

Nëse një ditë më parë bisedimet ishin të fokusuara më së shumti tek Marrëveshja e Detit, dita e dytë ka nisur me Ligjin e Luftës, i cili mban të sekuestruara pronat e shqiptarëve në Greqi.

Por bashkëlidhur me këtë temë është dhe ajo e varrezave të ushtarëve grekë, si tema të shportës së “çështjeve historike”.

Top Channel ka mësuar se të dy delegacionet janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë juridike dhe praktike për heqjen e këtij ligji, i cili vijon të mbetet në fuqi që pas Luftës së Dytë Botërore.

Një tjetër temë e cila mësohet se ka pasur avancime dhe për të cilën është gjetur një zgjidhje është ajo e vulave apostile. Greqia ka pranuar heqjen e kësaj burokracie, sipas të cilës, çdo qytetar shqiptar që jeton në Greqi duhet të legalizonte çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Kjo njohje nënkupton heqjen e kostove 27-vjeçare me të cilat u është dashur të përballen mbi gjysmë milion emigrantë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.

Po ashtu, çështje të tjera të karakterit konsullor, të cilat sjellin të tjera lehtësira për emigrantët shqiptarë, janë shumë pranë gjetjes së zgjidhjes. Bisedimet, edhe pse ishin parashikuar të mbylleshin pasditen e së shtunës, janë shtyrë të paktën deri të dielën.

11 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)