Kulturë Mërkur Bozgo, Lamtumirë Xhepeto!

Mërkur Bozgo, Lamtumirë Xhepeto!

189
0
SHPËRNDAJE

“Mërkur pse u vonove? Ti je përherë i pari nga aktorët që bëhesh gati për shfaqje? -Elma, po luante kombëtarja. Ku i dihet kur luan përsëri e nëse do ta shoh. Doja të të merrja njëherë të të thoja nëse mundej të mos isha në hapje të shfaqjes që ta shikoja. Ashtu? Atëherë pse nuk more? -Pse do ta bëje? Qesha..(Askush nuk e di se sa do të jetojmë mendova) Natyrisht Mërkur! -Atëherë po iki zemër tha ai. Atë natë shfaqja u hap pa Mërkurin.

Telefoni im u mbush me mesazhe nga ato që kishin parë shfaqjen “Elma ku është Mërkuri?”, “Elma ka ndodhur gjë me Mërkurin?”. Unë qeshja. Ishte një çmenduri si regjisore e di, edhe? Ai donte shumë ta shikonte atë ndeshje dhe mosha e tij nuk premtonte shumë.” Regjisorja Elma Dorezi e nis kështu rrëfimin e lamtumirës për aktorin Mërkur Bozgo që u nda nga jeta vetëm një ditë më parë pas një sëmundje të rëndë në moshën 80-të vjeçare. Dorezi është regjisorja e veprës “Kush e zbuti kryeneçen” që e riktheu aktorin në skenën e Teatrit Kombëtar.

“Lamtumirë Xhepeto!” shkruan regjisorja e re duke e kujtuar përmes personazhit që e solli aq mirë në skenë. Me një karrierë të gjatë në teatër, e kinematografi Mërkur Bozgo do të kujtohet si aktori I karaktereve. Ai lindi më 24 Mars të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Në vitin 1961 përfundoi studimet e larta në Degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe prej këtij viti fillon punën në Estradën e Tiranës deri në vitin 1968. Ja si e kujtonte ai në një intervistë fillimet e tij si aktor.

“Kur mbarova shkollën, universitetin dhe në atë kohë unë isha në moshën 23 vjeç kur kisha filluar mësuesinë. Kam punuar në Golem të Kurveleshit dhe më pas një vit tjetër unë kam qenë në Lushnjë. Kur isha atje në vitin e dytë më thanë që Estrada e Ushtrisë kërkon aktor dhe mund të kaloje në prova. Ishte një ditë e diel ku ata kishin caktuar audicionin dhe fitova. Kjo ka ndodhur në mes të vitit shkollor dhe unë u largova nga arsimi dhe fillova në Estradën e Ushtrisë si aktor në atë kohë”. Roli i tij i parë ka qenë ai i një mullixhiu në shfaqjen teatrore “Gjëmimi i atij dimri” shkruar nga Teodor Laço.

“Në atë kohë unë isha dublant me aktorin Sulejman Pitarka, natyrisht që ishin emocione të mëdha se Pitarka ishte një aktor shumë i mirë dhe kishte një emër në atë kohë, ndërsa unë e konsideroja veten si pionier me atë. Me guxim e mora atë rol në atë kohë dhe them se ai ka pasur suksesin e tij si rol në atë kohë”, tregonte Bozgo . Pas përfshirjes në Estradë ai punon për 7-të vjet në Televizion dhe që prej vitit 1975 punon si aktor në teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në vitin 1994 doli në pension. Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë në kinokomedinë televizive “Estrada në ekran” në vitin 1968.

Roli mi i fundit i aktorit Mërkur Bozgo do jetë ai i hoxhës në filmin “Gjoleka, djali i Abazit” në vitin 2005 përkrah Enxhi Agushi. Në kinematografi ai përfshihet herët që në vitin 1975 në filmin “Në fillim të verës” në rolin e punëtorit që shënon me shenjë arkën me barut. Në vitin 1979 ai është në rolin e Drejtorit të Muzeut në filmin “Emblema e dikurshme”. Më 1981, Bozgo interpreton rolin e Z. Ali tek filmi “Agimet e stinës së madhe”.

Më 1987 ai është Andoni tek “Tela për violinë”. Më 1988 ai interpreton drejtorin tek “Stola në park”, film me regji të Bujar Kapexhiut. Në vitin 1997 ai interpreton rolin e klientit të Evelinës tek filmi “Bolero” nën regjinë e Besnik Bishës . Regjisori Dhimitër Anagnosti e rikthen në rolin e Hoxhës më vitin 2006 në filmin “Gjoleka, djali I Abazit” një karakter ku Bozgo spikat në interpretim. Vitet e fundit përveç teatrit ai u angazhua dhe në seriale televizive si tek “Komuna e Parisit” apo “Bela”. Bozgo do të kujtohet gjithnjë për karakteret që la pas por dhe pozitivitetin që përcolli tek të gjithë ata që e njohën.

11 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)