Sociale Shpenzimet për shëndetësinë, shqiptarët harxhojnë sa për duhanin dhe alkoolin

Shpenzimet për shëndetësinë, shqiptarët harxhojnë sa për duhanin dhe alkoolin

250
SHPËRNDAJE

Shqiptarët shpenzojnë njëlloj si për t’u kujdesur për shëndetin e tyre, vizita te mjeku apo medikamente, po aq edhe për të konsumuar duhan apo alkool, ndër shkaqet kryesore të disa sëmundjeve.

Në anketën e buxhetit të familjes për vitin 2016, të publikuar nga INSTAT, rezulton se shpenzimet për shëndetin janë 3.4% të shpenzimeve familjare dhe 3.4% për pije alkoolike dhe duhan.

“Është e dhimbshme kur mëson se janë të njëjtat shpenzime, pasi do të thotë që popullata nuk po edukohet siç duhet për shëndetin”, tha Mira Rakacolli, zv.ministrja e shëndetësisë.

Në 3.4% shpenzime për shëndetin, sipas anketës së INSTAT, 75% të tyre shkojnë për medikamente. Por zv.ministrja e shëndetësisë thekson se shpenzimet e shëndetësisë kanë pësuar një tjetër ulje.

“Ka një tendencë në ulje, pasi dy vjet më parë shqiptarët harxhonin 4.9% të shpenzimeve familjare për shëndetin dhe pjesa 75%, nuk janë vetëm medikamente, pasi futen dhe suplemente të ndryshme që jepen pa recetë”, tha Rakacolli.

Sipas Rakacollit, shpenzimet për shëndetin janë ulur poshtë 3.4% gjatë vitit 2017, pasi nisën të ofrohen shërbime shëndetësore falas dhe barna të rimbursuara edhe për personat që nuk paguajnë sigurime shëndetësore. Dhe nëse pacientët ndjekin sistemin e referimit, medikamentet që përshkruhen në recetë nga mjeku, i marrin falas.

11 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)