Opinion EDI RAMA, SKËNDERBEU DHE RAPORTI ME HISTORINË

EDI RAMA, SKËNDERBEU DHE RAPORTI ME HISTORINË

344
1
SHPËRNDAJE

Nga Alfred PEZA

Ka ndodhur një dialog interesant sot në një fshat të Dibrës, ku Kryeministri e ka bërë traditë tashmë të drekojë nëpër familjet e thjeshta vendase, përgjatë tureve të takimeve nëpër Shqipëri. E ajo që u fol aty, është një copëz pasqyre besnike e fototografisë në terren, që na tregon qartë psikologjinë dhe kulturën tonë për raportet e njërëzve të thjeshtë me udhëheqësit tanë politikë, nga njëra anë. Por, edhe për raportet e liderëve vetë, me bashkëkohësinë dhe me historinë.

Një raport shumë interesant ky si tipologji e psikologjisë popullore, që tregon jo pak për atë se nga kemi ardhur përgjatë rrjedhave të pushtimeve, paqes, diktaturave, lirisë, regjimeve, sistemeve  dhe demokracisë. Për të kuptuar më mirë pas kësaj, se përse sot jemi këtu dhe ku do (apo) mund të shkojmë, në të ardhmen.

Po e riprodhoj të plotë atë copëz bisede, siç edhe u raportua nga mediat:

Fshatari: Vetëm ti dhe Skënderbeu keni ardh në këtë vend, ta them me burrni.

Rama: Aman mos…

Fshatari: S’ka bërë vaki në fshat, hallall ta bëftë Zoti.

Rama: (zgjat dorën në tavolinë…) Ky, djath dhie është?

Fshatari: Po. Kemi një kërkesë për ujin se morën vesht të gjithë që do vije këtu e na    thanë të të bënim një kërkesë.

Rama: Do i bëjmë ne gjithë kanalet.

Fshatari: Në e bëfsh atë, do të të bëjmë lapidar.

Rama: Lapidari është për heronjtë. Unë s’jam hero.

Edhe nëse do ishe një shkrimtar plot fantazi dhe do të doje ta shpikje këtë 20- 30 sekondësh të një dialogu si ky, në funksion të trillit tënd letrar, vështirë se do arrije që të bëje bashkë në 4 fjali të një qytetari të zakonshëm, edhe krahasimin e mikut me heroin tonë kombëtar, edhe kërkesën jetike të fshatit. Ndërkohë që të vetmes pyetje të mikut, i zoti i shtëpisë i përgjigjet me vetëm një “po” kalimthi.

Për ta mbyllur në fund me frazën lapidare, që i premton përjetësimin e udhëheqësit nëse do e mbaj premtimin, duke i bërë një lapidar. Shansi i keq i njeriut të thjeshtë në këtë rast, ishte se përballë kishte një Kryeministër që i qëlloi të jetë djalë i një skulptori të famshëm dhe për rrjedhojë, edhe përgjigjen e fundit, e kishte mësuar që fëmijë.

Edi Rama pavarësisht se i thotë “aman mos…”, kur fshatari e krahason me Skënderbeun, në fakt ishte në Dibër pikërisht për diçka që edhe nëse ai nuk e ka menduar, do ta lidhi me emrin e tij në histori. Ishte për një rrugë që nis e ndërtohet për tu përfunduar brenda këtij mandati qeverisës, e cila si për dreq, ka një emër të madh e që quhet: Rruga e “Arbrit”.

Një rrugë që pritet veç të tjerash të nxjerri nga izolimi i përjetshëm Dibrën e Matin dhe ta shkurtojë me rreth 70 kilomentra distancën mes Tiranës dhe pikës kufitare të Bllatës në Maqedoni. Edhe paraardhësi i tij Sali Berisha, si kryeveprën infrastrukturore gjatë qeverisjes konsideron një tjetër rrugë, me emër të madh gjithashtu, që lidh portin e Durrësit me Kosovën, e që quhet Rruga e “Kombit”.

Ismail Qemali e Fan Noli nuk ndërtuan ndonjë rrugë por hynë në histori për akte dhe vlera të tjera politike dhe individuale. Enver Hoxha ndoshta bëri më shumë se të gjithë udhëheqësit që e kanë qeverisur deri tani në këtë vend rrugë, ura, shkolla, hekurudha, fabrika e hidrocentrale, i ndihmuar sigurisht nga 40 vitet që sundoi një ekonomi të centralizuar, por dyshoj shumë se do të kujtohet në histori prej tyre.

Ramiz Alia nuk ka lënë gjurmë në drejtim të infrastrukturës, si edhe Fatos Nano tani në pluralizëm, pa llogaritur këtu kryeministrat e tjerë më jetëshkurtër, që raportin me historinë mund ta kenë për arësye dhe dimensione të tjera. Disa prej atyre 33 kryeministrave që e kanë qeverisur deri tani në 105 vjet këtë vend, mund të mos e kenë fare asnjë rresht vendin në tekstin e historisë, duke u përmendur aty vetëm si një statistikë më shumë.

Nga ana tjetër, raporti i qytetarit të thjeshtë shqiptar kur takohet drejtpërdrejtë fizikisht me udhëheqësit tanë, është krejt i ndryshëm nga ai i qasjes ndaj tyre, kur ndodhen në distancë. Madje ky raport është i ndryshëm edhe për nivele të tjera, shumë më minore politike dhe qeverisëse.

Duke nisur që nga raporti me kryeplakun e fshatit, me administratorin e ish komunës, me kryetarin e bashkisë, nën Prefektin e rrethit, Prefektin e qarkut, e kështu me radhë deri tek drejtorët e institucioneve të rëndësishme. Për të përfunduar tek raporti me deputetët (ndryshe kur je i mazhorancës, e ndryshe kur partia jote është në opozitë, gjithashtu), me kryetarët e partive parlamentare, ministrat, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit dhe Presidentin e Republikës.

Raport krejt tjetër është edhe ai gjatë takimeve të drejtpërdrejta të të dyja palëve, në çfarëdo lloj kushtesh e situatash dhe një qasje krejt tjetër, gjatë kontakteve virtuale mes tyre. Hidhini një sy rrjeteve sociale, komenteve nëpër web-site, poshtë postimeve të facebook-ëve të udhëheqësve të çdo rangu dhe do të kuptosh fare lehtësisht se janë dy raporte krejt të ndryshme.

Tjetër qasje komplet në kontaktet ballë për ballë e sy më sy dhe tjetër qasje, në kontaktet virtuale. Tjetër qasje në prani të njëri tjetrit, e tjetër qasje komplet kur nuk janë përballë. Eshtë kjo arësyeja se përse të tilla krahasime si ajo për Edi Ramën me Skënderbeun sot, janë bërë edhe për Sali Berishën, Ilir Metën e shumë të tjerë, madje duke u kënduar këngë e himne e thurur vargje për së gjalli.

Edi Rama sot e kaloi me sportivitet atë punën e Skëndërbeut dhe të lipidarit, siç janë munduar dhe ia kanë dalë ta kalojnë më parë, edhe ai vetë edhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë, skenave dhe situatave të tilla. Përgjithësisht në takimet publike, përballë liderëve qëndrojnë përkrahësit, mbështetësit dhe adhuruesit e tyre, më të flaktët ndoshta.

E ajo që shfaqet aty, nuk është e gjithë pasqyra e realitetit. Sepse mungon edhe pjesa e pasme e saj.

Por pavarësisht të gjitha këtyre, udhëheqësit me siguri që janë jo vetëm koshientë për këtë raport që më shumë është show dhe marrëdhënie me publikun. Ata nuk janë rastësisht aty ku kanë qenë, janë apo mund të jenë nesër. Për rrjedhojë, janë po aq koshientë jo vetëm për raportin me të sotmen, por edhe për raportin me historinë.

Një raport që më shumë sesa fjalët, ta përcaktojnë veprat, vlerat dhe produkti që arrijnë ose jo të “prodhojnë” nëpërmjet artit të qeverisjes së tyre. Ky raport nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e radhës apo me hallin e mandatit të ardhshëm, por me brezat e ardhshëm.

13 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)

  • cuço

    Rrena hajdutesh qe te bejne per te vjelle!