Politikë Dule: Rama të përgjigjet për kanabizimin e vendit

Dule: Rama të përgjigjet për kanabizimin e vendit

160
0
SHPËRNDAJE

Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ka komentuar sot, lidhur me bisedimet Shqipëri-Greqi si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

Dule u shpreh se ka nevojë për një dialog më intensiv mes dy vendeve fqinje për të arritur një nivel të lartë marrëdhëniesh.

Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, kreu i PBDNJ deklaroi se ka kërkuar nga Athina respektimin e të drejtave të minoritetit grek, si dhe për çështjen e pronave u shpreh se kemi parë vetëm fillimin e problemit.

“Uroj me takimin e fundit të kemi një dialog normal. Kemi kërkuar dhe insistojmë që Athina të kërkojë respektimin dhe të drejtat e minoritet grek. Ne jemi të mendimit që Greqia duhet të interesohet sistematikisht për fatin e minoritetit të saj. Ne lidhje me statusin e pronave, ne kemi parë vetëm majën e ajsbergut, është për të ardhur keq.  Ka një filozofi e cila synon në rrëmbimin e pronës dhe vënia e tyre në abuzim të ligjit në shërbim të interesave”, u shpreh Dule.

Mes të tjerash Dule është shprehur se kanabisi po shkatërron çdo qelizë të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare.

“Jemi në një situtatë të rënduar politike. Vendin e ka kapur një tumor që kërkon operacion të thellë. Sot duhet më shumë se kurrë të pranohen përmasat e fenomenit të kanabisit. Duhet të gjenden përgjegjësit”, ka deklaruar Vangjel Dule.

Sipas Dules, në tryezën e kryeministrit Edi Rama ndodhen disa pyetje që presin përgjigje, por ai ende nuk i ka dhënë ato.

“Duhet të themi si erdhëm deri në këto nivele. Në tavolinën e Ramës ka disa pyetje për këtë fenomen? A ishte tolerant a bashkëpunues Rama për këtë? Nuk kam dëgjuar qoftë edhe një fjalë nga Rama për narkotikët, drejtuar të rinjve. Ky fenomen monstruoz po shkatërron çdo qelizë të shoqërisë dhe ekonomisë”, – tha ai.

14 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)