Politikë Rama: Tahiri nuk mund të shkonte në burg pa asnjë provë

Rama: Tahiri nuk mund të shkonte në burg pa asnjë provë

894
0
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ka deklaruar se as ai personalisht dhe as Partia Socialiste nuk ka asnjë përgjegjësi për Sajmir Tahirin, i cili akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si bashkëpunëtor në trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Rama tha se ish-ministri i Brendshëm duhet të mbrohet nga avokatët e tij, edhe pse vijon të jetë një deputet i lirë.

“Tahiri është një çështje që i takon Prokurorisë. Është drejtësia ajo që duhet të thotë të vërtetën. Nuk jam avokat i Sajmir Tahirit, qeveria nuk është avokate e Sajmir Tahirit, Partia Socialiste nuk është avokate e Sajmir Tahirit, që do të thotë se para drejtësisë duhet të sillemi të gjithë si të barabartë, – theksoi kryeministri në emisionin “Studio e Hapur”. – Kur e mësova lajmin se ishte nën akuzë, pata ndjesinë e një konfuzioni të madh, por nuk jam unë ai që them fjalën e fundit. Ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet”.

Sipas Ramës, në lidhje me rastin e ish-ministrit të Brendshëm, “çdokush duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit për atë që bën. Tahiri është jashtë grupit parlamentar, jashtë grupit të Partisë Socialiste, le të shkojë të provojë që është i pafajshëm. Por ne nuk mund ta çonim Tahirin në burg pa asnjë provë. A kam folur me të pas çështjes “Sota”? Jo, nuk kam pasur arsye. Këto janë çështje të hetimit, nuk janë të miat”.

Ndërsa në lidhje me gjetjen e patentave të Saimir Tahirit me 860 mijë euro në makinën e të arrestuarit Sota, Edi Rama tha se nuk mund të flasë pa folur drejtësia.

14 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)