Kulturë Hapet Panairi i 20-të i Librit

Hapet Panairi i 20-të i Librit

273
0
SHPËRNDAJE

Ymeri: Të ulet në 5%, tvsh-ja e librit

Panairi i 20-të i librit ka hapur siparin sot në Pallatin e Kongreseve. Më shumë se 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë ngritur stendat me botimet e tyre ndër vite. Në këtë vit jubile, kryetari i shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri në fjalën e hapjes e vuri theksin tek sfidat e librit. ”Të gjithë e dimë se vitet fluturojnë aq më shumë kur ato janë vite pune dhe sakrificash, pasioni e vullnetesh (Migjeni përdor shprehjen vullnete të shtypuna). Kështu kanë kaluar vitet edhe për ne punëtorët e librit. Sot ne jemi në Panairin e 20 të Librit të Tiranës. Këtë vit Shoqata e Botuesve Shqiptarë, më saktësisht më 28 maj, mbushi 25 vjet nga themelimi i saj. Dua të përmend shokët e kolegët e mi, me të cilët e bëmë fakt këtë organizatë: Ramazan Hysën, kryetar i parë i Shoqatës sonë të botuesve, Donika Omari, Petrit Ymeri, Riza Ibrahimi, Baku Gjoni, Petraq Risto, Violanda Canko, etj. Shumica e të cilëve vinin nga radhët e redaktorëve, përkthyesve apo gazetarëve të kohës, pra me një përvojë të shkrimit dhe punës me librin.

Një falënderim për zotin Dhimitër Anagnosti, ministër i Kulturës i kohës, që nënshkroi të gjithë dokumentet, Statutin dhe Aktin e Themelimit duke ligjëruar Shoqatën tonë të Botuesve Shqiptarë”, ka kujtuar Ymeri punën e shoqatës së botuesve e cila ka një kontribut të çmuar në kulturën shqiptare këto dy dekada. “Shoqata jonë ka punuar edhe për krijimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor mbi librin, kemi qenë iniciatorë të punës për Ligjin e Librit, dhe kujtoj këtu grupin e parë të punës: profesorin e nderuar Aleks Luarasi,Piro Misha, Fatmir Toçi, Petrit Ymeri…… Shoqata e Botuesve ka luajtur edhe rolin e një sindikate në mbrojtje të interesave të botuesve shqiptarë, për konsolidimin e një sistemi që do të ndihmonte në radhë të parë botimin e vlerave më të mira të kulturës së shkruar kombëtare por edhe ato ndërkombëtare, për konsolidimin e një marrëdhënieje të shëndoshë e të besueshme midis botuesve dhe lexuesit, midis botuesve dhe institucioneve të vendit e të huaja”, tha Ymeri, duke shtuar se “qëllimi ynë kryesor, objektivi ynë i përhershëm është lexuesi”.

“Të bëjmë gjithçka për leximin, gjithçka për të shtuar radhët e lexuesve të rinj. Jemi një vend i vogë jo i pasur, jo me shumë mundësi, prandaj duhet të punojmë gjithën me synimin që të rinjtë të mësojnë e të lexojnë sa më shumë. Besoj dhe jam i bindur thellësisht që Libri është rruga kryesore. Më kujtohet që shumë vite më parë, më 1994, kam botuar një libër me titullin “Tempujt e mos harrimit” të shkrimtarit Betim Muço. Një libër për Japoninë. Nuk harroj një detaj: fëmijët në klasën e parë, ndofta në abetare fillonin me shprehjen: “Japonia është një vend i varfër, ne duhet të mësojmë shumë që ta bëjmë atë të pasur!”. Të thënë me të tjera fjalë, e gjejmë këtë mendim edhe në letërsinë e autorëve tanë të Rilindjes Kombëtare, të Sami Frashërit, të Fan Nolit, të Pashko Vasës që thërriste: feja e Shqyptarit është Shqiptaria, e shumë atdhetarëve të tjerë si Dhaskal Todri e Petro Nini Luarasi që dhanë jetën për gjuhën e shkrimit shqip. Një nga arritjet më të mëdha të Shoqatës sonë të Botuesve është pa asnjë dyshim organizimi i Panairit të Librit të Tiranës, sot njëzetvjeçar! Ka qenë pranvera e vitit 1998 kur me një grup botuesish diskutuam këtë mendim, organizimin e një aktiviteti kombëtar të Libri”, tha Ymeri. Duke folur për situatën në të cilën ndodhet libri, Ymeri nënvizoj shkurtimisht disa probleme dhe sfida .

”Kemi folur vazhdimisht për përmirësimin e sistemit të TVSh që është një nga pikat kryesore ku duhet ndërhyrë sa më shpejt. Kemi një TVSH 20%, në blerje, pra në shtypshkrim, i pangjarë në asnjë vend evropian, ku luhatet midis 4 dhe 6%, kemi 0 % në shitje, dhe ky tatim nuk i prek të gjithë operatorët apo subjektet që botojnë. Çfarë kërkojmë: TVSH të ulët, 5%, në blerje dhe në shitje, dhe të përfshijë të gjithë ata që botojnë libra: fondacione, institute, qendra fetare apo kulturore apo çdolloj tjetër. Çdolloj libri që shitet të ketë TVSH. Ato mund e duhet te pajisen me NIPT të veçantë për botimin. Po kështu kërkojmë që të ndahet nga organet tatimore veprimtaria e shtypshkronjave nga ajo e Shtëpisë Botuese si veprimtari me NIPT më vete. Kjo gjë do të zvogëlojë edhe rrjedhjet fiskale. Kërkojmë të ulet tatimi mbi të ardhurat për veprimtarinë krijuese nga 15% në 5 %. Nuk mendojmë se shteti i vjen ndonjë dëm nga kjo gjë, është mendoj e papërfillshme në buxhet, përveç faktit që nuk ka ndonjë kontribut të dukshëm në krijimtarinë e autorëve apo përkthyesve”, tha Ymeri. Sipas tij, një problem i madh i cili duhet të shpallur si prioritet kombëtar, duhet të jetë pasurimi biblioteka ve publike, të shkollave, institucioneve arsimore publike, tep bashkive e komunave. “Këto furnizime të bëhen të hapura, transparente, jo me lista klienteliste, por bazuar në vlerat e librave e autorëve. Të mos këmbëngulet në investime ndërtimore por në pasurime me libra.

Bibliotekat i bëjnë librat, jo tullat dhe pllakat e bukura apo vetratat. Libri e zbukuron bibliotekën”, tha Ymeri. E pranishme në hapje Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vuri theksin tek nevoja për të rritur komunikimin me lexuesin.

15 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)