Ekonomi BB: Kujdes me “1 miliard”! Rritja ekonomike do të ulet

BB: Kujdes me “1 miliard”! Rritja ekonomike do të ulet

306
0
SHPËRNDAJE

Banka Botërore vlerëson se prodhimi kombëtar i Shqipërisë do të rritet me 3.8 për qind këtë vit falë ecurisë pozitive të investimeve, por paralajmëroi se në dy vitet e ardhshme rritja ekonomike do të bjerë.

“Në dy vitet e ardhshme rritja do të bjerë për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha të investimeve të huaja”, deklaroi Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB për Shqipërinë.

Qeveria shpreson që rënien e investimeve të huaja ta zëvendësojë me projektin 1 miliard euro, por banka kërkon kujdes.

“Jo çdo investim mund të bëhet me koncesion. Disa duhet të jenë në mënyrë strikte investime të qeverisë, disa të tjera private. Por të gjitha duhet të shihen në kontekstin e një strategjie kombëtare. Qeveria duhet të shohë cili projekt ka leverdi dhe gjithashtu duhet të mendojë për disa faktorë kur miraton një PPP: transparencën, kërkesën e llogarisë, duhet të shohë pasojat fiskale, sepse në fund të fundit ato do të paguhen nga taksapaguesit dhe kjo do të sjellë pasoja tek borxhi. Pra, e rëndësishme është që ai borxh ose ai investim të sjellë përfitime”, deklaroi Maryam Salim, drejtoreshë e BB për Shqipërinë.

Banka vlerësoi uljen e borxhit nga qeveria edhe pse në një vit zgjedhor, por kritikoi politikën e saj për të përjashtuar nga taksat hotelet luksoze.

16 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)