Opinion RUSIA, RREZIK POTENCIAL APO E MBIVLERËSUAR?

RUSIA, RREZIK POTENCIAL APO E MBIVLERËSUAR?

677
0
SHPËRNDAJE

Si mund të interpretohen fjalët e shefit të BND-së, Kahl për ambicjet e Moskës? Ishin fjalë të pazakonta të qarta ato që formuloi Presidenti i Shërbimit Informativ Gjerman (BND) Bruno Kahl: “Në vend të një partneri për sigurinë evropiane, te Rusia më tepër kemi një rrezik potencial.

Aktori i politikës botërore Rusi është rikthyer, ai do të mbetet një fqinj i parehatshëm”. Në një referat të mbajtur në Fondacionin Hans Seidel në Mynih, Kahl foli për një modernizim “të habitshëm” të forcave të armatosura ruse.

Ekspertë të sigurisë janë të habitur me fjalët e Kahl-it. Ato janë të pazakonta për një person që i bën rrallë publike mendimet dhe analizat e tij – puna e shërbimeve të fshehta, siç e thotë emri, shumicën e kohës zhvillohet pas perdeve.

“Realist, pragmatik”

Për Sebastian Schulte, korrespondentin për Gjermaninë të revistës ushtarake britanike Jane’s Defence Weekly, deklaratat e Kahles janë “realiste, pragmatike dhe pasqyrojnë atë që kanë vërejtur edhe vëzhgues të tjerë”.

“Të gjithë ne nuk flasim sa duhet për sjelljen e Rusisë ndaj Perëndimit, Evropës dhe para së gjithash shteteve të Evropës Lindore.” Ai tha se veç lajmeve, për luftimet e forcave të mbështetura nga Rusia dhe Ukrainës në medie nuk gjen analiza, “gjë që është e habitshme”.

Fuqi mbrojtëse SHBA

Si kundërpeshë ndaj rrezikut rus për Evropën, Kahl paraqiti në fjalimin e tij bashkëpunimin me shërbimet e fshehta të SHBA dhe para së gjithash me ushtrinë e SHBA. “Ata kanë mbi dhjetë aeroplanmbajtëse, të cilat mund t’i dërgojnë brenda kohës më të shkurtër në zonat ndërkombëtare të konfliktit”, tha shefi i BND-së. Rëndësi ka që të pengohet që Kremlini të ketë sukses “në dobësimin e BE, në spostimin e SHBA dhe veçanërisht që të futet një pykë midis të dyve”.

Mark Galeotti beson se vëzhgimet e Kahlit në përgjithësi janë të drejta, por megjithatë e pikturojnë “tepër errët” realitetin. Eksperti për politikën ruse të sigurisë dhe drejtori i Qendrës për Sigurinë Evropiane në Institutin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Pragë tërheq vëmendjen se Rusisë i duhet ende shumë për të arritur Perëndimin.

“Të paktën gjysma e ushtrisë ruse nuk është e modernizuar si duhet”, thotë ai. Dhe shton se “vetëm shtetet anëtare të NATO-s, pa SHBA dhe Kanadanë kanë më shumë trupa tokësore se Rusia”.

Galeotti arrin në përfundimin se Rusia, e parë në mënyrë realiste, mund të mobilizojë në çdo kohë 50.000 vetë. “Kjo nuk është Ushtria e Kuqe sovjetike”, thotë ai. “Kjo nuk është një fuqi që mund të sulmonte Evropën Perëndimore, që mund të matej me NATO-n me shpresën për të fituar”.

17 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com) / Deutche Welle