Kryesoret ‘Check up-i’, PD: 4 mln euro dhuratë e Edi Ramës për Vilma...

‘Check up-i’, PD: 4 mln euro dhuratë e Edi Ramës për Vilma Nushin

176
0
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka risjellë në vëmendje çështjen e koncesionit të check up-it të cilin prej më shumë se një viti e cilëson një aferë të pastër korruptive.

Në një deklaratë nga selia blu deputetja demokrate Albana Vokshi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes këtij koncesioni, vetëm në 2 vjet klientja e tij Vilma Nushi ka marrë rreth 4 mln euro për analiza që nuk janë bërë asnjëherë.

Deklarata e plotë e PD

Konçesioni i kontrollit shëndetësor checkup, për të cilin Edi Rama krenohet më shumë, është faktuar me shifra zyrtare si konçesioni më korruptiv dhe më i dështuar ose si prova se çfarë shteti ai po ndërton.

Check up është më i dështuari, sepse vetëm 26 përqind e shqiptarëve që e përfitojnë, e kanë kryer këtë shërbim pavarësisht kushtëzimit të ndihmës ekonomike dhe vizitat e të sëmurëve kronikë.

Check up është më korruptivi, sepse vetëm për dy vitet e para të konçesionit të check up-it, pa përfshirë 2017-ën, klientja e Edi Ramës, Vilma Nushi, ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 4 milionë euro për rreth 250 mijë analiza të pabëra asnjëherë. 1,7 milionë euro në 2015-ën dhe 2.3 milionë euro në 2016-ën, siç tregohet edhe në tabelën e Fondit të Kujdesit Shëndetësor.

4 milionë euro për një shërbim të padhënë, është provë se check-up jo vetëm nuk është falas, siç thotë Edi Rama, por me këtë konçesion, kontrolli shëndetësor  është kthyer në një shërbim disa herë më i shtrenjtë.

Ky përfitim marramendës është parashikuar në kontratën e Edi Ramës me klienten e tij Vilma Nushi, e cila do të vazhdojë të paguhet 7 milionë euro në vit, edhe sikur check up-in ta kryejë një shqiptar i vetëm. Kjo është arsyeja pse Edi Rama prej dy vjetësh refuzon ta bëjë publike këtë kontratë zhvatëse për shqiptarët, si dhe çdo kontratë tjetër konçesionare në shëndetësi.

4 milionë euro që fiton klientja e Edi Ramës, pa bërë asnjë shërbim, do të mjaftonin për të mbuluar nevojat për kurimin e të gjithë pacientëve të onkologjikut, për të cilët sot mungojnë barnat. 4 milionë euro do të mjaftonin për të rritur pagat e për shpërblimet për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor.

Vilma Nushi nuk është e vetmja që përfiton para publike. Për konçesionet në shëndetësi, buxheti i vitit 2018 parashikon 40 milionë euro për 4 miq të Edi Ramës dhe familjes së tij. 40 milionë euro që do të mbulonin nevojat me pajisje dhe barna për të gjithë spitalet e Shqipërisë.

Nëse vettingu do të ketë sukses, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion duhet ta nisë zbatimin e reformës në drejtësi me aferat korruptive në shëndetësi. Kallëzimi Penal nga Partia Demokratike është aty prej më shumë se një viti.

18 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)