Kulturë Durazzo-t, pasioni i parezistueshëm për artin

Durazzo-t, pasioni i parezistueshëm për artin

451
0
SHPËRNDAJE

«Durazzo-t, dozhët e purpurt të Republikës së Gjenovës, janë padyshim një nga familjet më të shquara të diasporës shqiptare, familje e cila ka nxjerrë nga gjiri i saj 9 dozhë, 2 kardinalë, 30 senatorë, 16 ambasadorë dhe personalitete të tjera të shkencës, filozofisë, fesë dhe kulturës e artit. Një aventurë e jashtëzakonshme e kësaj familje durrsake, e cila për tu shpëtuar dyndjeve otomane, më 1389, mori udhët e detit për në drejtim të «Felix Italia». Gjatë lundrimit, piratët i kthyen ata në skllevër, por pas peripeci të shumta, me të mbërritur në Gjenova ata e fitojnë përsëri lirinë. »

«Falë zgjuarsisë, kurajos e vullnetit, shpejt ata do të bëheshin të njohur në historinë e Gjenovas e të mbarë Europës. Me jetën e tyre do të pleksen jo vetëm personazhe historike, deri tek Napoleon Bonaparti dhe perandori i Austro-Hungarisë Jozef II, por dhe shumë artistë botërorë të pikturës, muzikës, letërsisë… »

 Në historinë e diasporës shqiptare, të pakët janë ata shqiptarë që iu përkushtuan artit botëror si mecenë dhe si artëdashës, që jetuan me veprat e gjenive të mëdhenj të artit. Të tillë ishin Durazzo-t, kjo familje që luajti jo vetëm role politike të planit të parë në politikën dhe diplomacinë europiane, jo vetëm si ekonomistë të talentuar që financuan princa e mbretëri të Europës, gjer dhe Spanjën e Francën, por ajo që është po aq e habitshme është se këta pinjollë të farës shqiptare iu përkushtuan artit me një dashuri të pazakontë : në sallonet e tyre ata ishin te rrethuar gjithnjë me veprat e Van Dyck, Rubens, Rembrandt dhe ajkën e Rilindjes italiane si Veroneze, Tintoretto e shumë të tjerë.

Historia na dëshmojnë për një lidhje të ngushtë të familjes Durazzo me piktorin e madh Van Dik (Dyck), i cili gjatë viteve 1621-1627 qëndroi në Gjenova, ku krijoi një numur të madh veprash, që do të mbeteshin në historinë e pikturës botërore. Ishte në fakt i jati i Van Dyck, ai që do të zgjonte tek piktori i ri dëshirën për të udhëtuar drejt Gjenovës, ku atë kohë kishte një koloni piktorësh flamandë, me të cilët ai kishte lidhje të ngushta. Në fakt, shumë piktorë të Evropës së veriut, vinin atë kohë drejt Italisë për të parë Da Vincin, Rafaelon, Veronesen, Uçelon, Tintoretto-n e piktorë të tjerë të “quatrocento-s”[1] e më vonë. Një biograf i Antoin van Dyck, shkruan se shkaku i largimit të Van Dyck drejt Italisë ishte lidhja e tij me gruan e Rubens-it, i cili ishte dhe mjeshtri i tij. Disa vite, Van Dyck kishte punuar në atelierin e mjeshtrit të madh, pasi Rubens nuk arrinte dot t’i plotësonte kërkesat që i bëheshin nga aristokratë të mëdhenj. Amsterdami, Bruges, Anvers, ishin atëhere qëndra të mëdha të artit, tregëtisë, kulturës, filozofisë dhe utopisë së përfaqësuar nga Erazmi. Ja pse dhe një serë tablosh që mbaheshin të Rubens, në të vërtetë janë pikturuar nga Van Dyck apo të dy bashkë. Siç dëshmojnë historianët e artit të shekullit XVII, Van Dyck (1599-1641), do të nisej drejt Gjenovës në vjeshtën e vitit 1621. Historiani gjenovez i artit të shekullit XVII, Soprani, shkruan se artisti flamand arriti në Gjenova në vjeshtën e vitit 1621, duke u vendosur në shtëpinë e dy piktorëve të njohur flamandë: Lucas dhe Cornelis de Wael.

Në atë periudhë Gjenova dhe Anvers, vendlindja e Van Dyck, ishte në marrëdhënie mjaft të ngushta dhe zhvillonin mes tyre një tregëti të jashtëzakonëshme. Gjenovezët ishin nga më të pasurit e Evropës në sajë të tregëtisë së tekstilit, me të cilën merrej veçanërisht familja Durazzo. Vetëm në Spanjë ishin 20 mijë bankierë gjenovezë. Flota gjenoveze ishte me famë në të gjithë botën dhe fisnikët e pasur gjenovezë jepnin me qera anijet e luftës apo tregëtare. Në portin e Gjenovës vinin jo vetëm metalet nga Meksika dhe Andet, por dhe sasia më e madhe e floririt nga “Bota e Re”. Durazzo-t ishin tashmë dhe bankierë të mëdhenj, ku mjaft nga familjet mbretërore të Evropës kishin depozituar paratë në bankat e tyre (një prej tyre do të ishte dhe ajo e perandorit austro-hungarez).

Disa muaj pas ardhjes së Van Dyck në Porto Vecchio, (siç e shohim dhe në një tablo të mrekullueshme të vitit 1616, të piktorit  Bordoni, ku jugu i qyteti eshte hapur drejt detit në formën e një amfiteatri), shumë shpejt ai do të bëhej i njohur në rrethet e aristokracisë gjenoveze. Ishin vëllezërit de Wael që do ta njihnin atë me këto familje dhe veçanërisht me Durazzo-t. Mandati i  Pietro Durazzo-s, sapo kishte mbaruar si dozh (guvernator) i Republikës së Gjenovës. Ai ishte dozhi i dytë i kësaj familje fisnike, pas Giacomo Durazzo Grimaldi (dozh në vitet 1573-1575), i cili kishte hapur i pari serinë e 9 dozhëve Durazzo që do të njihte gjatë më shumë se dy shekujve Republika e Gjenovës. Ato vite, emrin e kësaj familje që shpesh quhej Durazzo-Albaneze, e kishte bërë të njohur dhe Agostino Durazzo, i cili pak vite më parë ishte zgjedhur senator i Republikës. Ai ishte senatori i dytë në rradhën e 30 senatorëve që do të nxirrte kjo familje.

Biografi Christofer Brown, në një botim të tij mbi Van Dyck, shkruan se në një nga dhomat e Pallatit Durazzo, ne “via Balbi”, jetonte Van Dyck, kur ai vinte në Gjenova, pas udhëtimeve që bëri në Palermo, Romë, Milano, Venecie, Triste, apo Marseilles (Marsejë) e Aix-en-Provence, në Francë. Van Dyck qëndroi në Gjenova rreth 7 vjet, pas një periudhe që kishte kaluar në Londër dhe ku do të rikthehej. Më pas ai do t’a linte përfundimisht Gjenovën. Në Gjenova ai pikturoi personazhet e asaj bote aristokratike e veçanërisht të familjeve të mëdha  si Balbi, Durazzo, Pallavicini, Grimaldi, Adorno, Imperiali, etj, të cilët, shpesh do të lidhnin krushqi me njëra tjetrën, siç do të ishin lidhjet e ngushta të familjes Durazzo me familjen princore Grimaldi të Monakos-s, apo Balbi e Pallavicini. Madje disa tablo të Van Dyck relatojnë pikërisht këtë lidhje, siç është tabloja e mrekullueshme kushtuar Elena Grimaldit (një pinjolle Durazzo e martuar me një Grimaldi), e pikturuar në vitin 1623. Në këtë tablo shquhet një fisnike e bukur, në këmbë, e veshur me një robë të kuqe dhe të gjatë gjer në fund të këmbëve, ku një negër po i bën hije me një çadër. Një tablo tjetër i është kushtuar Catarina Durazzo Adorno-s. Një tjetër tablo gjëndet në Galerinë Kombëtare të Washingtonit, me titull Portrait de la marquise Balbi, ashtu siç ndodhet dhe në “The Metropolitan Museum of Art” të Nju Jorkut, tabloja e njohur nën titullin Gruaja që quhet markezja Durazzo (Portrait of a women called Marchesa Durazzo).

Sapo erdhi në Republikën e Ligurisë, Van Dyck ndeshi gjurmët e punimeve të mjeshtrit të tij Rubens, të cilat i kishte pikturuar gjatë qëndrimeve në këtë qytet dhe ku disa ishin në koleksionet e familjes Durazzo. E tillë ishte tabloja La morte di Argo, të cilën më vonë do ta kopjonte piktori i famshën francez Honoré Fragonard, edhe ky mik i ngushtë i familjes Durazzo, i cili siç dëshmojnë kronikat e kohës ka jetuar në pallatet e tyre.

Duke qënë mik i familjes Durazzo dhe një i afërt i tyre, Van Dyck ka pikturuar disa nga personazhet e asaj kohe. Në një lloj mënyre, Durazzo-t ishin kthyer në fanët e tij, madje kishin blerë apo do t’i blenin më pas tablo për koleksionet e tyre, si La sacra famiglia, etj. Para se të vdiste, Gio Luca Durazzo, në testamentin e tij do të shkruante se ndër të tjera, vajzës së tij, Tomasina i linte si trashëgimi, një nga dy pikturat e Van Dyck[2]. Pra ajo mund të zgjidhte midis Nostra signora col putto in braccio dhe La vergine col putto che sta dormendo. Epoka gjenoveze për të është mjaft e ethëshme dhe prodhimtare: gjithsejt 99 tablo, ku 72 mes tyre janë portrete apo figura në këmbë. Atë e kërkojnë ngado dhe jo vetëm në Gjenova. Pikërisht në Gjenova ai krijoi tablonë e famëshme La Vierge au Rosaire, një porosi e shoqërisë fetare të Rosaire të Palermos, të cilën ai sapo e kishte lënë për shkak të kolerës që u përhap në atë qytet. Në vitet që Van Dyck do të jetonte në oborrin e Durazzo-ve jetonte akoma Pietro Durazzo, biri i të cilit, Nicolo, më vonë do të bëhej dozh, ndërsa biri tjetër, Stefano, do të bëhej kardinal. Po kështu, në Gjenova, ato vite jetonin dhe Cesare Durazzo, bijtë e të cilit, Pietro-Maria dhe Marcello, do të bëheshin vite më vonë dozhë të Republikës. Van Dyck, duke qënë mik në oborrin e Durazzo-ve, padyshim do të ketë takuar dhe Durazzo të tjerë që jetonin në Gjenova apo jashtë saj, të degëve të tjera të familjes, siç ishte Agostino Durazzo (1555-1630), markezi i parë i Gabiano-s si dhe Marcello I, Giacomo Filippo I apo Gerolamo I, etj.

Nga tablotë më të bukura të Van Dyck në Gjenova ishte padyshim Batina Balbi Durazzo dhe dy bijtë e saj (në kohën që ajo ishte e ve) dhe që titullohej ndryshe La Dama d’Oro, apo taboja Fëmijët Balbi (1623), që gjëndej në Palazzo Durazzo. La Dama d’Oro quhet ndoshta kështu për vetë ngjyrën e artë që zotëron në këtë tablo, veçanërisht në roben e gjatë të saj, duke i dhënë një hijeshi dhe bukuri femrore të jashtëzakonshme. Sigurisht, Van Dyck nuk pikturoi vetëm pinjollët e familjes Durazzo. Fëmijët në fakt ai kishte dëshirë t’i pikturonte në grup dhe rrallë herë vetëm. Figurat njerëzore të kësaj epoke, janë të formatit real. Gjenovezët i pëlqenin shumë pikturat e tij dhe kritikët e kohës e cilësonin “gjenovez”. Një nga tablotë e veçanta të kësaj kohe të piktorit flamand është ajo e Marcello Durazzo-s, të cilën kritikët e konsiderojnë si “një nga tablotë më të rafinuara të piktorit të madh”. Në këtë tablo të vitit 1624, në formatet 205-125 cm, dhe për të cilën do të shkruajnë edhe francezët Charles de Brosses apo Cochin, të bije në sy portreti i një njeriu mjaft të mprehtë, me një vështrim zhbirues, ku spikat ambicja, forca dhe këmbëngulja. Ai është në këmbë, me një qëndrim krenar dhe veshje në kadife të zezë, robe me influencë spanjolle që përdornin fisnikët e mëdhenj në atë kohë. Në një libër të vjetër llogarish të familjes, siç na informon dhe Angela Durazzo në librin e saj, shkruhet se babai i tij Agostino, në 31 dhjetor të vitit 1624, i ka paguar piktorit flamand 373 lira gjenoveze për këtë pikturë, e cila sot ndodhet në Venecie, e ekspozuar në Galerinë Franchetti alla Ca D’Oro, pasi u ble nga baroni italian Franchetti. Kjo tablo do të ekspozohej edhe më vonë në disa qytete të tjera të Europës si në Anversë (1899), në Romë, Venecie e më pas në Bruksel. Të gjithë kritikët e veprës së Van Dyck janë të një mendimi kur thonë se stili dhe fryma e kësaj epoke gjenoveze do të influencojë shumë pikturën e mëvonëshme të tij, veçanërisht në tablotë e pikturuara në oborrin e Karlit I të Anglisë, të pikturuara me të njëjtin stil dhe frymë si portretet e Durazzo-ve.

Rubens dhe Rembrandt

Durazzo-t ishin mecenë të artit dhe pinjollët e tyre rriteshin në një mjedis të rrethuar nga piktura, skulptura, teatri e spektakli muzikor. Piktura dhe arti ishte jo vetëm pasion por dhe investim financiar, pjesë e rëndësishme e pasurisë së tyre aq sa dhe në testamentet e Durazzo-ve gjen emrat e tablove të famëshme që u lihen trashëgim fëmijëve të tyre. Ja pse ata nuk nguronin të blenin tablo e vepra arti të tjera dhe në veçanti nga emrat më të njohura të artistëve të kësaj epoke. Rubens ishte nga piktorët hollandezë më të preferuar. Ai kishte qënë dikur në Mantova, në kufirin e sotëm franko-italian dhe ishte mik i dukës Vincente Gonzagë. Katër vjet më vonë, më 1607 ai do ta shoqëronte dukën e famshëm në Gjenova ku ishin dhe miqtë dhe mbështetësit e tij financiarë, bankierët Spinola e Pallavicini. Rubens do të qëndrojë gjatë në Gjenova, në pallatin e Pallavicini-it, i cili më pas do të bëhet Palazzo Durazzo. I mbështetur nga miqtë e rinj Spinola, ai do të krijojë gjashtë portrete të mrekullueshme të fisnikëve gjenovezë e të Mantovas si portretin e Brigidda Spinola Doria, të dukës de Lerma, Annibale Chieppo, Massimiliano Doria, etj. Madje jezuitët e qytetit i kërkuan atij që fasadat e pallateve të qytetit ti bënte me afreske që ato të bëhen të bukura. Kështu atij do ti duhej të merrej dhe me zbukurimin e fasadave të nxira të pallateve që brënda tyre ruanin në fakt thesare të mëdha. Të periudhës italiane janë dhe një sërë kryeveprash të tjera të Rubens-it si Zbritja nga Kryqi, Adhurimi i barinjve, Patric i ri gjenovez, Herkuli, etj.

Suzana dhe pleqtë (Susanna e i vecchioni) është një ndër tablotë e mrekullueshme të piktorit hollandez. Një tablo e magjishme me Suzanën e xhveshur, të kolme dhe që mbulon seksin e saj me një shall të mëndafshtë, duke kërkuar t’u shpëtojë dy pleqve që kanë zgjatur duart për të prekur hiret e saj… Eshtë një tablo në vaj, në format 177×246 cm, që merr shkas nga tema e mërgimit babilonas të popullit hebre. Suzana, gruaja e pasanikut Joakim, ndërkohë që po përgatitej të lahej, befasohet nga dy gjykatës të qytetit që ja behin në kthinën e saj. Të joshur nga bukuria e saj, ata e kërcënojnëuan që t’u nënshtrohej dhe meqënëse ajo nuk pranoi, atëhere ata shpallën se e kanë gjetur në duart e një dashnori të ri dhe për tradhëti duhej dënuar me vdekje. Profeti Daniel, i udhëzuar nga Zoti, i pyeti veçmas të dy pleqtë, të cilët i dhanë versione që kundërshtonin njëra tjetrën. Me zbulimin e gënjeshtrës, gjykatësit u ndëshkuan. Kjo është tema e pafajësisë. Kuptohet, është imagjinata e piktorit hollandez që na ka lënë ato figura aq të gjalla dhe shprehëse. Pra Suzana dhe pleqtë bënte pjesë në koleksionin privat të kontit Giacomo Durazzo dhe ishte në fakt tabloja e fundit që do të linte Gjenovën në vitin 1842 për mos t’u kthyer me kurrë, veç në një ekspozim të tillë, si ajo e vitit 2004. Ajo u vendos në Pinakotekën e Torinos. Historianët shkruajnë se kjo tablo ishte vendosur nga Durazzo-t pranë tablosë tjetër të Rubens Giunone dhe Argo, një tjetër tablo e famëshme e tij, e cila do ta linte Gjenovën në vitin 1806, kur Gerolamo Durazzo u detyrua t’i a shiste atë koleksionistëve anglezë… Për këtë tablo shkruan dhe francezi Cochin, i cili kur ishte te Durazzo-t në Palazzo Durazzo e kishte parë në sallonin e Mbretëreshës (di Regina). Në fakt, Rubens kishte qënë mjaft i frymëzuar nga historia biblike e Suzanës dhe rreth kësaj teme kishte bërë 6 tablo, të cilat do të vendoseshin në sallonet e Romës, Madridit, Monakos, etj. I frymëzuar nga Rubens, një kopje të tablosë Suzana dhe pleqtë do të bënte dhe Delacroix. Krahas Rubens, nga flamandët,  një nga piktorët më të preferuar të patricëve gjenovezë ishte Rembrandt. Disa tablo të tij gjëndeshin në koleksionet e familjeve të mëdha. Nga Rembradt, Durazzo-t kishin në pallatin e tyre tablonë Portreti i njeriut me kostum oriental, ku shfaqet një burrë i moshuar, ndoshta një tregëtar, me një çallmë rreth kokës, veshur me kostumin otoman, me një  diamant në ballë dhe me një brez të gjërë floriri në krahëror.

La Cena e Veronezes

 Një nga tablotë më të famshme të Paolo Caliari nga Verona, i quajtur më vonë Veroneze, Cena in casa di Simone il Fariseo, (Darka e Krishtit në shtëpinë e Simonit), ishte një nga tablotë më të vyera të Durazzo-ve, „ose diamanti i koleksionit“, siç do të shkruanin kritikët, e cila ishte vendosur në Galerinë e Pasqyrave, ku mund të shijohej nga të gjithë miqtë e fisëm, qeveritarë, senatorë apo personalitete të ndryshme që vinin nga Europa, veçanërisht nga Franca dhe Austria, siç do të ishin dhe Napoleon Bonaparti, Papa Pio VII apo perandori i Austrisë, Josef II. Sytë e të gjithë vizitorëve mbeteshin në banketin e asaj tabloje që zhvillohej nën këmbët e kollonave korintase rrethuar nga lypës e handikapë, e ku në mes të tyre, piktori italian kishte vendosur Jezu-në dhe ku një kurtizane e bukur me flokë të arta dhe të lëshuara i lan këmbët me lotët e saj. Eshtë një histori biblike, e treguar nga Shën Luka, historia e një fariseo, i cili e fton Jezunë për darkë. Kur ai hyri dhe u ul, një nga mëkataret e qytetit që e mori vesh erdhi menjëherë dhe me një tas me vaj të parfumuar filloi ti fërkojë këmbët. Pastaj i a lan ato me lot dhe së fundi i a fshin me flokët e saj. Në fakt, për këtë tablo u bë shkak porosia e abatit Mauro Vercelli, i manastirit Santi Nazaro e Celso së Veronas, i cili më 1556 i kërkoi piktorit Caliari që të dekoronte sallën e ngrënies së benediktinëve. Afresku do të ngjitej në mur, siç tregon për këtë historiani i famshëm Girgio Vasari. Një shekull më vonë, këtë tablo të mrekullueshme e bleu pasaniku dhe koleksionisti i madh gjenovez Gio Filippo Spinola për 7.000 dukate, pra me një vlerë prej 21 kg. flori, dhe tabloja udhëtoi kështu drejt Gjenovës.

Kur e kishin parë këtë tablo, Durazzo-t kërkuan menjëherë t’i a blejnë familjes së vjetër gjenoveze, nga dera e së cilës kishin dalë dozhë të Republikës. Ata e blenë atë për 42.000 skude, që në atë kohë ishte një shumë e konsiderueshme. Siç shkruhet nga kronikat e vjetra, në vitin 1676, tabloja hyri në Palazzo Durazzo. Kur Palazzo Durazzo do ti shitej mbretit të Sardenjës, Carlo Felice, shumë koleksionistë kishin kërkuar që më parë ta blenin këtë tablo nga familja Durazzo. Më së shumti ishin koleksionistë angleze. Por më së fundi, pas vdekjes së Gerolamo Durazzo, tabloja i u shit mbretit të Sardenjës për 2.250.000 lira. Në vitin  1837, në një natë të errët dhe me shi, e mbrojtur nga një batalion ushtarësh dhe me armë, fshehurazi, piktura e famshme e Veronezes do të dërgohej në Torino dhe në vënd të saj, në muret e pallatit do të vendosej një kopje e tablosë origjinale, ç’ka do ta zëmëronte popullin e Gjenovës. Më vonë Carlo Felice e pas tij Carlo Abeito, u detyruan ta shesin atë pasi kishin probleme financiare. Në fillim të shekullit ajo do të shitej sërrish deri sa do të përfundonte udhëtimin e saj në galerinë « Sabauda ».

Pinjollët Durazzo në ngjyrat e mjeshtërve të mëdhenj

 Fytyrat e Durazzo-ve vijnë gjer në ditët tona në sajë të artit të piktorëve dhe skulptorëve të mëdhenj por dhe të dashurisë së tyre për artin. Shumë piktorë e skulptorë, italianë, franceze, hollandezë, etj, do ti përjetësonin ata, duke na krijuar mundësinë sot që përmes asaj galerie personazhesh të pikëtakojmë fytyrat e atyre njerëzve që mbanin në vetvete genet shqiptare dhe që hynë në historinë e madhe të Europës. Veç tablove të Van Dyck me figurën e Marcello Durazzo-s dhe të Battina Balbi Durazzo-s, si dhe Dama d’Oro, një krijimtari e mrekullueshme ishte padyshim dhe ajo e piktorëve Jacob Schmuntzer dhe Martin van Meytens që realizuan portretin e kontit Giacomo Durazzo. Një sërë artistësh të tjerë shumë të mëdhenj do të realizonin figurat e familjes Durazzo. Së pari, tabloja e Giovanni Marie Delle Piane, i quajtur ndryshe Mulinaretto (1660-1745), i cili ka pikturuar dozhin Pietro Durazzo në një tablo vaji në formatet 278×215, ku paraqitet dozhi i hipur në fronin e tij, i veshur me një robë në kadife të kuqe, me një letër në dorë, ku poshtë këmbëve të tij zbresin ca shkallë. Pietro është djali i dozhit të mëparshëm Cesare Durazzo. Dikur ai kishte qënë ambasador i jashtëzakonshëm në Vienë dhe pastaj më 1665  „mbrojtës“ i bankës San Giorgio, duke vazhduar më pas me postin si senator, gjersa më 1685 edhe ai ishte bërë dozh. Ishte një dozh filo-francez i cili një vit më parë se të zgjidhej në postin e guvernatorit, do të ndihmonte shumë për rindërtimin e qytetit pas bombardimeve franceze të mbretit Luigji XIV, „Mbreti Diell“, siç e quanin në atë kohë.

Një portret tjetër i Durazzo-ve është ai i piktorit hollandez Jacob Ferdinand Voet, (1639-1700), i cili ka pikturuar portretin e Gio Luca Durazzo në një format të vogël dhe në një kohë kur ky pinjoll ishte në moshën 30-40 vjeçare. Ai është me paruke “alla franceze” dhe një veshje e modës franceze të Luigjit XIV, me tipare të mprehta dhe mjaft simpatik, me mustaqe të holla dhe buzë të kuqe, të pulpta. Një portret i vendosur në një sfond të errët ku drita i jep hirësi asaj fytyre. Nga qafa në gjoks, një shall i bardhë dantelle i zbret poshtë mbi gjoks. Piktori hollandez ishte në atë kohë në Romë dhe vepra duket se është pikturuar atje, pasi dhe Gio Luca, biri i Gerolamo-s, në vitin 1667, ishte ambasador i Republikës së Gjenovës pranë Vatikanit. Voet bënte atëhere një karierë të dukëshme me portretet e fisnikëve të mëdhenj.

Gio Agostino Durazzo, njeri i aventurës, i detrave, i luftës dhe i diplomacisë, do të ishte objekt i dy tablove të realizuar në kohë të përafërt: e para e Giovanni Lorenzo Bertolotto, në vaj, me dimensione 145×198 dhe që do të mbetet pjesë e koleksionit privat të Durazzo-ve gjer në ditët tona. Eshtë një tablo me pesë personazhe që paraqet momentin kur Gio Agostino po hyn në sallonin e sulltanit Mehmet IV për ti dhënë letra-kredencialet. Në krahë e shoqërojnë dy funksionarë të pallatit dhe pranë sulltanit duket veziri i madh. Gio është veshur me kostumin gjenovez, me roben e kuqe në kadife dhe kapuçin e kuq. Ai është me flokë të gjata dhe të zeza. Piktori tjetër, Domenico Piola, ka paraqitur në një tablo shumë të madhe në formatin 315×420 koktejin e organizuar nga sulltani për nder të ambasadorit gjenovez. Eshtë një tablo e vitit 1666, me bojë kine dhe akuarel. Në këtë pritje, siç mësojmë nga historianët, atë e shoqëroi dhe vëllai i tij, Ignazio, ndërkohë që në Gjenova ishte dozh Cesare Durazzo. Kur Palazzo Reale-Durazzo i u shit mbretit të Sardenjës, të dyja këto tablo shkuan në Palazzo Durazzo, në sheshin Meridiana të qytetit. Por tabloja më e bukur mbi të dhe që do të mbetet më përfaqësuesja e këtij personazhi jo të zakontë është ajo e Franz Luyckx von Leuxenstem, e quajtur ndryshe Durazzo alla turchessa (Durazzo i veshur me rroba turke). Pikërisht kjo tablo ishte dhe afishja dhe kopertina e katalogut voluminoz të ekspozitës Nga Tintoreto tek Rubens.

Piktori i famshëm italian Domenico Parodi na ka lënë një portret interesant të një prej pinjollëve Durazzo, për të cilën historianët mendojnë se është portreti i Gio Luca II Durazzo. Tabloja paraqet një djalosh simpatik, me një hundë me kurriz, një portret oval që buzëqesh. Djaloshi me paruke është veshur me një bluzë kadifeje ngjyrë blu dhe me një këmishë të bardhë. Parodi do të realizonte dhe një portret tjetër në vaj: kësaj rradhe portretin e Maria Madalena Durazzo, një grua e re dhe mjaft e bukur, me një gjoks të hapur dhe me shumë hire. Si vajzë e vetme që ishte, më pas jo do të martohej me kushëririn e saj Marcello, i cili më vonë do të bëhej dozh.

Mulinaretto ka realizuar dhe një pinjoll tjetër Durazzo që sipas historianit të artit Daniele Sanguineti mendohet se është Gerolamo Ignazio Durazzio. Fisniku është në moshën 50-60 vjeçare, edhe ai me paruke, i veshur në një uniformë ushtarake, pasi në këto kohë, shumë Durazzo ishin të apasionuar pas armëve dhe shpesh kishin funksione të larta në drejtimin e ushtrisë gjenoveze. Mulinaretto ka pikturuar gjithashtu dhe Annamaria Balbi Durazzo-n, gruan e Eugenio Durazzo-s, fisnikut të pasur dhe amator i jashtëzakonshëm i artit. Një tablo kjo mjaft e gëzuar e vitit 1684, me një veshje plot ngjyra të ndezura, si të ishte një cigane, pasi ajo ka një trup të derdhur dhe mban gërsheta. Eshtë një veshje më tepër franceze dhe që e bën figurën shumë sensuale.

Piktori francez Hyacinthe Rigaud pikturoi disa pinjollë të Durazzo, shumica të veshur me rroba kalorësie e ushtarake, mes të cilëve Ippolito Durazzo dhe Nicolo Durazzo. Një portret mjaft interesant dhe në formate të mëdha, 214×273 cm, në akuaforte, krijoi piktori italian Giovanni David: është portreti i kontit Durazzo, tashmë ambasadori “imperial” i Austrisë në Venecie. Në atë kohë piktori ishte vendosur në Venecie dhe ishte mik i kontit. Një tjetër akuaforte me një format akoma më të madh, 800×550 cm, është ajo e dy piktorëve dhe miq të afërt të kontit Giacomo Durazzo: piktori zviceran Jacob Wagner dhe piktori Jacob Mathias Schmuntzer. Eshtë një tablo në kornizë baroke, ku në qëndër është ambasadori Durazzo në tavolinën e tij të punës me një gravurë në dorë. Gravurat ishin një pasion më vete i koleksionit të famshëm të tij.

Mbi pinjollët Durazzo janë dhe dy tablo në vaj të piktorëve anonimë: njëra, kushtuar dozhit Pietro Durazzo, e pikturuar në gjysmën e parë të shekullit XVIII, ku duket dozhi i ulur në fronin e guvernatorit të Republikës, me spektrin në dorë, veshur në të kuq dhe me një kapuç të kuq, ku në sfond duken simbolet e stemës së familjes, zambakët anzhuinë. E dyta, e ruajtur në Palazzo Brignole-Durazzo në sheshin Meridiana, po anonime, është figura e kardinalit Stefano Durazzo, po e gjysmës së dytë të shekullit XVIII, ku duket kardinali i ulur në poltronin e tij, me një fytyrë mjaft shprehëse dhe me mjekër. Ndërsa i pari kishte qënë një ushtarak i zoti dhe “protetore”, (“mbrojtës”) i bankës San Giorgio, i dyti kishte qënë dikur i dërguar me mision diplomatik në Vatikan dhe më vonë ishte bërë kardinal. Në vitin 1640, Urbano VIII e  kishte dërguar atë si përfaqësuesin e vet diplomatik në Bologna.

Në vitet 1700 koleksioni privat i Durazzo-ve përfshinte mbi 400 vepra arti të autorëve më në zë të epokës. Në këtë koleksion bëjnë pjesë dhe një numur i madh skulpturash, veçanërisht të skulptorëve të famshëm në atë kohë si Domenico dhe Filippo Parodi. Skulpturat e tyre qëndronin plot hir në mjediset e vilave të Durazzo-ve dhe së pari në „Galerinë e Pasqyrave“, siç ishin veprat në mermer veprat  Metamorfosi, Stagioni apo Mito di narcisio. Gesu bambino dormento është padyshim një kryevepër e Parodit. Në fakt Durazzo-t e pëlqenin shumë skulpturën dhe në veçanti kur ishte fjala edhe për portretet e tyre në mermer, siç ishin portretet e Gio Luca Durazzo, Marcellino apo Stefano dhe Eugenio Durazzo. Kush më mirë se mermeri do ti bënte ata të përjetshëm?…

Luan Rama

[1]  Shekulli XV.

[2] Relatuar në librin  I Durazzi, da schiavi a dogi della Republica di Genova, (Durrazo-t, nga skllevër në dozhë të Republikës së Gjenovës), Angela Valenti-Durazzo, La Compagnia della Stampo, Massetti Rodella Editore, Brescia, 2004.

18 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)