Sport Milinkovic para Partizanit: Barazimi një dështim, presioni vjen nga rezultatet

Milinkovic para Partizanit: Barazimi një dështim, presioni vjen nga rezultatet

57
0
SHPËRNDAJE

3 barazime radhazi për Kukësin, dhe Milinkovic e di që X në seri është një rezultat që nuk i shkon për shtat një skuadre që kërkon titullin. Flitet shumë për trysninë që ushtrohet në klubin verilindor për trysninë që ushtron presidenti Gjici, por tekniku serb para sfidës me Partizanin merr përsipër përgjegjësinë e natyrisht dhe presionin që ofron mungesa e rezultatit.

“Trysninë nuk na e jep asnjeri por na e japin vetë rezultatet. S’është nevoja të ndihem në trysni as nga presidenti as nga njeri tjeter. Gjithmonë kur nuk ka rezultate pozitive, i pari që jam në trysni jam unë se unë e kam fajin. Unë ju them lojtarëve si do luajnë, unë vendos formacionin dhe kur nuk ka rezultat fajtori jam unë i pari, pastaj gjithë të tjerët”.

I bezdisur ndoshta nga raportimet konstante për një atmosferë të tendosur në kampin verilindor, Milinkovic mohon të ketë një çështje Alla, apo ultimatume për lojtarët  duke arsyetuar dhe mungesën e mbrojtësit në ndeshjen me Kamzën.

“Pashë pas ndeshjes që shtypi shkruante se Alla është i dënuar. Është absurde, gjithmonë 2-3 lojtarë janë nën ultimatum. Janë krejtësisht të gënjeshtërta. Ndaj Kamzës vendosëm të luanin Hoxha dhe Shameti, pasi Racic është një lojtar i fortë në luftën në ajër, dhe ne donim të kishim dy lojtarë të fortë në luftën në ajër që ta përballonim atë”.

Para është sfida me Partizanin, Milinkovic nuk i beson krizës së kuqe, megjithatë duke pranuar statusin e favoritit.

” Partizani është gjithmonë Partizani, në ditë të mira apo të këqija. Ne nuk duhet ti nënvlerësojmë dhe nuk do ti nënvlerësojmë pasi është një ndeshje derbi, dhe dua që dhe lojtarët e mi ta mendojnë kështu. Sigurisht favoritë jemi ne edhe për faktin që luajmë në shtëpi, dhe duam të luajmë mirë dhe të kthehemi te fitorja”.

Pasojë edhe e 3 barazimeve radhazi , Milinkovic e pranon se një tjetër X përballë Partizanit do të përkthehej në një dështim për skuadrën e tij.

“Po do të ishte një dështim, nëse nuk fiton për të katërtën ndeshje, se ne themi vazhdimisht që duam të fitojmë në çdo ndeshje, dhe nëse nuk e bëjmë për katër ndeshje radhazi është një dështim”.

Milinkovic beson se kush do të thërritet në mision për të zëvendësuar Bakajn, do të jetë në lartësinë e duhur, ndërkohë që e merr me filozofi çështjen ultimatum nga presidenca.

” Ultimatumi, varet si e shikon njeriu. Tani nuk është cështje ultimatumi kur një trajner ose lojtar nuk jep atë që duhet të japë në punën e tij, natyrshëm që duhet të largohet. E patë dhe Anceloti gjithë ai trajner u largua nga Bajerni pasi nuk kishte rezultate, por ky nuk është ultimatum. Kur nuk ke rezultate duhet të largohesh. sa herë ulem me presidentin vëmë objektiva për dy ndeshjet e ardhshme duhet të marrim 6 pik për shembull, por këto janë objektiva jo ultimatum”.

18 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)