Ekonomi Tokat e paregjistruara, shtyhet afati për ish-ndërmarrjet bujqësore

Tokat e paregjistruara, shtyhet afati për ish-ndërmarrjet bujqësore

108
0
SHPËRNDAJE

Pas shtyrjes së afatit për regjistrimin e tokave bujqësore të ish-kooperativave dhënë pa shpërblim në bazë të ligjit 7501, qeveria shtyn afatin edhe për procedurat e tokave që janë ndarë po pa shpërblim për përfituesit e ish-ndërmarrjeve bujqësore.

Sipas projektligjit që ndodhet në duart e deputetëve, janë rreth 2.300 kërkesa që duhet të shqyrtohen nga komisionet e ngritura pranë bashkive dhe afati i ri është 31 korriku 2018.

Për regjistrimin e tokave të ish-kooperativave kishte rreth 2.500 kërkesa dhe afati u shty nga Kuvendi me votat si të PS ashtu dhe të PD deri në fund të 2018-s dhe gjasat janë që edhe për regjistrimin e tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore të ndodhë e njëjta gjë. Çdo gjë është në dorë të pushtetit vendor.

Procesi i plotësimit të dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore kryhet nga bashkitë. Për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës ka ndarë tokën bujqësore por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, ligji ngarkon kryetarët e bashkive t’i plotësojnë ato, ndërsa prefekti i qarkut mbikëqyr realizimin e këtij procesi.

Nga mbi 700 mijë hektarë tokë bujqësore që kishte zyrtarisht Shqipëria në vitin ‘92, 560 mijë hektarë janë ndarë me ligjin 7.501, 80 hektarë i administrojnë bashkitë për t’i dhënë me qira, ndërkohë që mbi 23 mijë hektarë të tjerë janë si fond kompensimi fizik për agjencinë e trajtimit të pronave dhe pjesa e mbetur zotërohet nga Ministria e Bujqësisë.

 

19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)/ Top Channel