Botë Dështojnë bisedimet për formimin e qeverisë gjermane

Dështojnë bisedimet për formimin e qeverisë gjermane

119
0
SHPËRNDAJE

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se përpjekjet e saj për formimin e qeverisë dështuan, një zhvillim që mund të çojë Gjermaninë në një krizë politike dhe më afër zgjedhjeve të parakohshme.

Demokratët e Lirë, (FDP) u tërhoqën papritmas nga bisedimet pas më shumë se katër javë bisedimesh me konservativët e zonjës Merkel dhe të gjelbrit, duke ju referuar dallimeve të papajtueshme.

Euroja shënoi rënien më të madhe në dy muajt e fundit kundruall jenit, pasi që udhëheqësi i FDP-së, Christian Lindner, tha të dielën se partia e tij u tërhoq meqë partnerët nuk po gjenin gjuhë të përbashkët për çështjet kryesore.

“Më mirë është që të mos qeveriset, se sa të qeveriset keq”, tha zoti Lindner.

Zonja Merkel u duk e lodhur derisa tha se do të vazhdojë të kryej detyrën e kancelares dhe do të këshillohet me presidentin Frank-Walter Steinmeier se si të ecet me tutje, ndërsa shtoi se marrëveshja ishte shumë afër.

“Kjo është një ditë e reflektimit të thellë se si do të ecim përpara në Gjermani”, u tha zonja Merkel gazetarëve. “Si kancelare, do të bëj gjithçka që ky vend të drejtohet si duhet në javët e vështira që po vijnë”.

Ishte një çast kthjellje në karrierën e një gruaje e cila gjatë 12 vjetëve në pushtet, u shndërrua në simbol të qëndrueshmërisë, duke drejtuar eurozonën gjatë krizës zë borxheve dhe duke siguruar një marrëveshje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë për të ndalur valën e migruesve.

Pozicioni i zonjës Merkel u dobësua pas zgjedhjeve të shtatorit kur votuesit e zemëruar me vendimin e saj të vitit 2015 për të hapur kufijtë e Gjermanisë për më shumë se një milionë strehim kërkues i dënuan konservativët e saj duke votuar për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

20 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)