Partia Socialiste përmes kreut të grupit parlamentar Taulant Balla ka akuzuar sot PD e drejtuar nga Lulzim Basha për përdorim parash nga burime të paligjshme për lobim në SHBA gjatë fushatës elektorale.


“Një fakt i rëndë është bërë publik sot, e që hedh akuza për përdorim parash nga burime të paligjshme, nga një parti politike në Shqipëri.


Një total prej 1 milion dollarësh qenka paguar nga Partia Demokratike e Shqipërisë vetëm gjatë vitit 2017. Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në kuadër të zbardhjes së kontratave të kompanive të lobimit, ka hapur edhe dosjen e transfertave 1 milion dollarëshe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me përgjegjësinë e Lulzim Bashës; një pjesë e tyre të kryera prej një kompanie offshore.


Të dhënat e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmes rrjetit të Reporterëve Investigativë të Ballkanit, tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit 2017 nga Partia Demokratike dhe një kompani e dyshimtë, e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat kapin vlerën 675 mijë dollarëve dhe ku përfshihen edhe tarifat mujore të firmës, si dhe pagesat për shpenzimet e saj. Ja dhe pagesat, ku duket qartë edhe emri i Partisë Demokratike, edhe emri  “Biniatta Trade LP”.


Në 24.03.2017 janë paguar 115 mijë dollarë; në 27.03.2017 Partia Demokratike e Shqipërisë ka paguar 25 mijë dollarë, dhe më 09.06.2017 kanë kaluar edhe 500 mijë dollarë të tjera nga Partia Demokratike.


Gjithashtu, Partia Demokratike ka pasur edhe një kontratë të drejtpërdrejtë me “Stonington Strategies”, që është pjesë e kompanisë “Muzin Capital Partners LLC”, e cila është raportuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë dollarë dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.


Më 22 mars 2017, kur Lulzim Basha dhe deputetët e atëhershëm të tij ishin në çadër, gjatë vizitës së Lulzim Bashës në Washington, kryetari i Partisë Demokratike ka firmosur një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” me  vlerë 25 mijë dollarë.


Sipas të dhënave të zbardhura nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për “Muzin Capital Partners LLC”, qëllimi i kësaj kontrate është pikërisht projektimi dhe implementimi i fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, si dhe promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve e figurave politike në SHBA”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Ballës.


23 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)