Kulturë Pikturat, pasioni i bukur i një kirurgu

Pikturat, pasioni i bukur i një kirurgu

229
0
SHPËRNDAJE

Teksa luhaten në erë, degët e shpërndara të pemëve në vizatimet e Luter Kreshpës duken si një ftesë për reflektim. Arti nuk mund të jetë i fortë nëse nuk ka mendimin brenda, dhe tablotë që Brisejda (e bija) na tregon pa fshehur trishtimin e ikjes nga portreti teksa rrëfen historinë e jashtëzakonshme të një njeriu që e besoi aq shumë tek pasioni, mbartin thellësi. Ato nuk janë thjesht pemë, por gjendje reflektimi të një shoqërie e cila kërkon të shpëtoi nga kaosi. Të realizuara në kohë të ndryshme, koleksioni i pikturave dhe vizatimeve të lëna pas nga doktor Kreshpja na japin profilin e një artisti i cili dhe pse ka qëndruar gjithnjë në distancë nga atmosfera e arteve pamore në vend, ka pësuar një proces zhvillimi po aq interesant sa dhe vetë koha.

Nën frymën realiste tablotë sjellin fragmente të ndryshme jete, që përshkohen nga emocionet. Ti mund të shohësh gjatë këto tablo, që artisti i ka ndërtuar i vetëm në atë botën e krijuar prej tij të krijimit, nga ku jo vetëm gjente paqen, por dhe kuptimet e jetës. Më 10 dhjetor në ora 11.00 në Muzeun Historik Kombëtar të gjitha këto tablo do të vijnë në ekspozitën e quajtur “Të ndjekësh ëndrrat” me autor Dr. Luter Kreshpa. Një ekspozitë që vjen si një memoriam në ditëlindjen e tij, kur ka vetëm disa muaj që është larguar nga jeta, si një moment për ta kujtuar bukur një personazh që jetoi dhe e deshi të bukurën. I lindur më 10 dhjetor 1961 ai do të dashurohej me pikturën herët, për ta ndjekur heshturazi këtë pasion dhe pas mbarimit të studimeve për mjekësi në vitin 1961. Dy vite më vonë ai aftësohet për kirurg i përgjithshëm. Kirurgjia ishte shkenca ku prof. Kreshpja do të jepte gjithë aftësitë e tij jo vetëm në shërbim të pacientëve por dhe krijimit të standarteve të reja në mjekësinë shqiptare.

Me profilin e një intelektuali par ekselencë ai do të angazhohej në Konferenca të shumta, përsa i përket Kirurgjisë hepotabiliare, si në Francë, Greqi, apo udhëtimi për në Vietnam më 1986-tën. Ka mbrojtur në 1987, Dizertacionin për Doktor Shkencash në Kirurgjinë Pulmonare “Trajtimi kirurgjikal i bronkoektazisë”. Janë të pafundme leksionet që ai ndërtoi mbi kirurgjinë, duke dhënë një model për brezat që do të vijnë. Është autor i 8 teksteve për sëmundjet kirurgjikale, 19 artikujve në Buletinin e Shkencave Mjekësore(BSHM), 41 Artikujve në Punimet Kirurgjikale(PU), 9 Artikujve në Revistën Mjekësore (RM) 48 Referate dhe Kumtesa, 19 Recensione dhe Oponenca. Është autor i monografisë “HERNIA. Veçoritë Klinike dhe Mjekimi”, botim i vitit 2007. Por ajo që e bënte Dr Luter Kreshpën të ishte ndryshe nga të tjerët, ishte pikërisht artisti brenda tij. Pas tërheqjes nga profesioni ai iu dedikua pikturës. E bija, kujton kohët e kaluara në Pogradec ku kishte krijuar dhe zakonet e tij me pikturën.

Punonte me orë të tëra, i fokusuar i gjithi tek bojërat e peizazhi. I ndjeshëm ndaj natyrës, ai e reflektonte atë dhe në peizazhet e pafundme që ka lënë pas. Natyra ashtu si piktura duket se ishin paqja për të. Ekspozita që do të hapet në Muzeun Historik Kombëtar mbart një koleksion prej 93 pikturash, kryesisht natyra të qeta dhe peizazhe, por edhe disa portrete e skica. Në këtë ekspozitë janë përzgjedhur disa prej punimeve të autorit të grupuara sipas rubrikave të tij të preferuara natyrë e qete, peizazh , portret dhe skica. Por, kjo ekspozitë na e sjell ndryshe profilin e kirurgut Luter Kreshpja për të gjithë ata që e njihnin. Në të ju do takoni artistin Kreshpja, që ashtu modest e fshehu gjithnjë tek vetja dhe kërkoi ta zbulonte pikërisht në ikje të tij. Brisejda tregon se kjo ekspozitë ishte parasishikuar të bëhej më 80-të vjetorin e tij të lindjes, një vit më parë. Ishte vetë artisti që u mor vetë me gjithçka deri tek kërkesa drejtuar drejtorit të atëhershëm të muzeut Melsi Labi për këtë ekspozitë.

“Pavarësisht se, pothuaj gjithë jeta ime,ka qënë intesivisht në shërbim dhe përkushtim të pacientëve, herë pas here kam gjetur kohën të ushtrojë dhe shijojë pasionin tim të madh pikturën. Piktura ka qënë shplodhja dhe arratia ime nga trysnia e një profesioni të lodhshëm”, shkruante ai, duke vijuar se “koleksioni im modest është përpjekja ime e vazhdueshme për të mos u ndarë nga pasioni im, passion i cili nuk më la kurrë. Që në fëmijërinë time unë shquhesha në shkollën” Skëndërbe” për pikturat, kryesisht bardh e zi. Në shkollë të mesme bëja në perfeksion portretet e shokëve dhe shoqeve të klasës”.

Kur ishte në vit të katërt në shkollën e mesme do të fitonte konkursin për portretin më të mirë të vizatuar. “ Koleksioni im është krijuar kryesisht këto 20 vitet e fundit, periudhe ku në cdo ditë të punës time si kirurg përballesha me sfidën e triumfit mbi vdekjen”, shkruan ai. Por ai nuk mundi ti ngjiste shkallët e Muzeut Historik për të pritur miqtë në ekspozitën e tij të parë personale pas një jete përkushtim në pikturë, duke u ndarë nga jeta vetëm pak para se të hapej ekspozita. Ndaj kjo ekspozitë e bën më të trishtueshme portretin e Brisejd, teksa përpiqet të ndërtojë ëndrrën e bukur të të atit.

6 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)