Ekonomi Taksat për turizmin, nga lehtësitë përfitojnë investimet e reja

Taksat për turizmin, nga lehtësitë përfitojnë investimet e reja

83
0
SHPËRNDAJE

Do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë se kush do jenë subjektet që do të përfitojnë statusin e investitorit special në turizëm që do të përjashtohen nga taksat.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi ndryshimet ligjore me votat e maxhorancës. Statusi special jepet për 10 vjet për subjekte që investojnë në hotele të reja me 4 yje dhe vlerë 8 milion euro dhe pesë yje me vlerë 20 milion euro, në zona me potencial turistik.

Sipas qeverisë synohet që të thithen investime të rëndësishme nga kompani me famë botërore, duke bërë që Shqipëria të rrisë kapacitetet dhe të konkurrojë në rajon. Statusi special për investitorët në turizëm parashikon një sërë përjashtimesh nga taksat që janë miratuar tashmë me paketën e fiskale. Më të favorizuar janë hotelet me 5 yje.

“Për hotelet me 4 yje TVSH 6 përqind është për fjetjen, ndërsa për ato me 5 yje për të gjithë aktivitetin, përjashtimi nga taksa infrastrukture nuk përfshin hotelet me 4 yje, përjashtin nga tatim fitimi dhe taksa pronës për të dyja kategoritë”, tha ministri Blendi Klosi.

Opozita votoi kundër. ”Çdo përjashtim nga taksat është subvencion nga taksat e përbashkëta, ka premisa për keqmenaxhim, klientelizëm dhe pastrim parash”, tha deputeti Florion Mima.

Edhe më parë është synuar të mbështetet sektori turistik duke i dhënë status të veçantë investimeve në fshatra turistike apo resorte, por me kalimin e viteve këto investime nga destinacioni i hotelerisë përfunduan në qendra banimi.

6 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)