Opinion VENDIMI QË QEVERIA REFUZON TË MARRË

VENDIMI QË QEVERIA REFUZON TË MARRË

182
0
SHPËRNDAJE

Qeveria po heziton të shpallë gjendjen e emergjencës, nga ana tjetër Kryeministri Rama deklaroi se do të dëmshpërblejë banorët e prekur nga përmbytjet.

Se me çfarë mekanizmi do ta bëjë, kjo është e paqartë. Ajo që është e qartë, është hezitimi i Qeverisë për të shpallur gjendjen e emergjencës. Nëse do ta bënte, do të duhet të paguante çdo humbje, deri edhe tek ushqimi i kafshëve.

A i ka paratë për ta bërë? Instrumentet financiarë të qeverisë i japin mundësi të shfrytëzojë fondin e kontingjencës, apo të bëjë rialokime fondesh. Por gjendja e emergjencës nuk u shpall as në 2015-ën.

Asokohe, Qeveria i bëri thirrje biznesit dhe shpërndau ndihma të ndryshme, deri edhe bagëti, duke thënë se po u kompensonte fermerëve çdo krerë të humbur nga përmbytjet.

Këtë herë Qeveria po bën të njëjtën gjë, duke çelur llogari bankare për derdhjen e kontributeve nga brenda dhe jashtë vendit, nga qytetarë dhe biznese. Shumëkush mund të mendojë se nëse qeveria arrin të kënaqë personat e prekur pa cenuar buxhetin e shtetit, atëherë kjo është diçka e mirë për shumicën.

Tek e fundit, banorët që ndërtuan buzë lumit apo në zona të tjera me rrezikshmëri të lartë, nuk pyetën njeri për këtë. Por ata që mendojnë kështu harrojnë rolin e qeverisë, që nuk është vetëm ai i arkëtarit që mban dhe shpërndan paratë, por edhe ai i një kujdestari social.

Qeveria vërtet nuk është përgjegjëse për shiun që bie një herë në 100 vjet çdo 3 vjet, por ama është përgjegjëse edhe për legalizimet, edhe për cilësinë e dobët të rrugëve që nuk respektojnë regjimin e ujërave, për argjinaturat e munguara apo kanalet kulluese të bllokuara, është përgjegjëse edhe për lejet e shfrytëzimit të lumenjve apo prerjen e pyjeve që favorizojnë erozionin.

Përgjegjësia e Qeverisë për qytetarët e vet nuk është selektive. Qeveria nuk mund të kënaqë disa me palma dhe shatërvanë, dhe të privojë të tjerët nga gjërat elementare. Në një rast të tillë, kjo do të ishte një qeveri e padrejtë.

6 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com) / TCH