Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, e kanë mbyllur vitin së bashku në Lanabregas, aty ku Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 60 banesa të reja për 60 familjet rome, që u prekën nga projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana. Banesat e reja erdhën si një dhuratë për këto familje, të cilat mbrëmjen e Vitit të Ri do mund ta kalojnë në një shtëpi të ngrohtë.


Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNDP-në, përfundoi ndërtimin e 60 banesave pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas, të cilat sot, në ditën e fundit të vitit, u janë dhuruar 60 familjeve të komunitetit rom. Veç kryebashkiakut Veliaj dhe ambasadorit Lu, të pranishëm ishin edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams.


Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që ky projekt përfundoi brenda një kohe të shkurtër, ndërsa falenderoi të gjithë ata që kontribuuan që edhe këto familje ta kalonin Vitin e Ri në një strehë të re. “Jam shumë i lumtur sot, që pas një pune të gjatë dhe fantastike nga të gjithë kolegët, kemi bërë zhvendosjen e komunitetit rom nga situata e vështirë te Bregu i Lumit, në një banesë shumë dinjitoze në Lanabregas”, tha Veliaj. Ai theksoi se ndërtimi i këtyre shtëpive është një premtim i mbajtur, e shtoi se ajo që mbetet sfidë për të gjitha institucionet është integrimi i tyre.


“Për ne është jetike që ta mbajmë fjalën. E kishim premtuar që Viti i Ri do t’i gjente këto familje në shtëpi të reja. Është e rëndësishme që komuniteti të mos ndihet si mish i huaj, por të përqafohet nga të gjithë fqinjët. Besoj se kemi nevojë për këtë lloj integrimi”, tha Veliaj. Ai u shpreh se standardi i vendosur në ndërtimin e këtyre banesave në Lanabregas do të ndiqet edhe në projektet e tjera sociale të Bashkisë Tiranë, siç është edhe ai i banesave në Shkozë.


“Ka qenë një operacion i vështirë, por besoj ka vendosur një standard. Siç këto familje hynë në banesat e reja në Lanabregas, ashtu edhe komuniteti i Shkozës, do të jetojë në një realitet tjetër. Në fillim të janarit do të jemi aty për ta uruar edhe atë komunitet, ndonëse kanë filluar të hyjnë në shtëpitë e reja. Kështu që, çfarë ishin punë të vjetra i mbyllëm këtë vit. Mezi pres që të mbajmë fjalën për të gjitha premtimet e 2018-ës dhe të bëjmë akoma më shumë punë të mbara për të treguar që ky është një qytet, ku suksesi nuk varet nga ngjyra e lëkurës, nga mbiemri apo nga partia politike, por varet nga talenti dhe bashkëpunimi që kemi me gjithsecilin”, vijoi Veliaj.


Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe gjitha institucionet e tjera që mundën të ralizojnë këtë projekt që i jep zgjidhje problemit të një prej komuniteteve më të vuajtura në vend. “Kjo është një ditë e gëzueshme. Komuniteti nga Bregu i Lumit ka pasur kushtet më të vështira të jetesës në Shqipëri. Ata kanë bërë një rrugë të gjatë për të mbërritur në këto shtëpi. Shprehim lëvdatat tona për Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financës, OSSHE, komunitetin e Lanabregasit dhe Shkozës, veçanërisht për imamin, kryeplakun, OKB, BE-në, OSBE-në, OJQ-të rome, por mbi të gjitha për këtë komunitet të guximshëm rom. Urime për shtëpitë tuaj të reja”, u shpreh ambasadori i SHBA-së, Donald Lu.


31 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)