Kryesoret Skema e re e mësimit aplikohet nga 1 shkurti, në të gjitha...

Skema e re e mësimit aplikohet nga 1 shkurti, në të gjitha shkollat

400
SHPËRNDAJE

Një ditë më parë kryeministri njoftoi nismën për shkurtimin e lëndëve mësimore, propozim i ardhur në të ashtuquajturën platformë për bashkëqeverisje me qytetarët.

Por nisma ka shkaktuar shumë pikëpyetje në lidhje me orët mësimore 90 minutëshe dhe se si do të zhvillohet i të gjithë procesit mësimor. Në materialin në vijim kolegia Shpresa Mezini sjell sqarimet e nevojshme.

Nga cikli fillor deri në ciklin e mesëm nxënësit zhvillojnë nga 4-6 orë mësim në ditë, që do të thotë se çdo nxënës mban me vete 4-6 tekste shkollore përfshirë edhe fletoret përkatëse për secilin libër.

Që prej vitesh është përkthyer nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit, jo vetëm si ngarkesë fizike, por edhe si ngarkesë psikologjike për shkak të volumit të detyrave të shtëpisë në 6 lëndë të ndryshme. Nga 1 shkurti kjo praktikë do të ndryshojë.

“Do kemi 3 lëndë në 6 orë, do të thotë nëse ka bërë 6 orë do të bëjë 3 orë 2 orëshe ose 3 lëndë nga 90 minuta, pra nëse ka bërë 1 orë letërsi do bëjë 2 orë letërsi, 2 orë matematikë dhe 2 orë histori. Do të ketë pushim 5 minutëshe mes orëve, siç ka qenë”, u shpreh Anila Ferizaj, specialiste MASR.

Pra, orët mësimore do të vazhdojnë të jenë 45 minuta të gjata me pushim në mes, por në dy orë të tilla do të zhvillohet vetëm një lëndë. Në këtë mënyrë, mësuesit që e propozuan këtë nismë, do të kenë mundësi ta shpjegojnë dhe ta zhvillojnë më mirë lëndën.

“Duke qenë vetë mësuese në radhë të parë shpesh nuk më ka dalë ora e mësimit ose nuk kam arritur t’i kontrollojë të gjithë, pra do të thotë nxënësi në 90 minuta ka mundësi të dëgjojë të ndërveprojë”, thotë Anila Ferizaj.

Nga Ministria e Arsimit thonë se janë konsultuar edhe me psikologë për skemën e re të zhvillimit të mësimit në klasë. Por vetë psikologët çfarë thonë?

“Nxënësit do të lehtësohen nga kjo praktikë e re, edhe nga ana psikologjike do përbëjë lehtësim për ta që do përgatiten në 3 lëndë jo në 6, pra nuk do shpërndahen në 6 fusha por në 3. Prioritet do kenë edhe prindërit pasi shumë ankesa na vijnë ne psikologëve shkollorë që prindërit nuk kanë mundësi të kalojnë kohë me fëmijët për ti argëtuar pasi gjithë pasditen bëjnë detyrat e klasës”, u shpreh Eriselda Dervishi, psikologe shkolle.

Madje, psikologia thotë se kjo skemë e re do të ndihmojë edhe nxënësit me aftësi ndryshe. “Mësuesit në momentin që i vë në një aktivitet praktik nxënësit e tjerë, mund t’i kushtojë më shumë vëmendjen dhe kohë nxënësve me nevoja të veçanta apo me vështirësi në të përqendruar”, u shpreh Eriselda Dervishi.

Zbatimi i kësaj skeme do të nisë më 1 shkurt në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, private dhe publike nga klasa e parë deri në klasën e 12-ë. Ndërsa psikologët janë porositur të monitorojnë zbatimin e saj me qëllim matjen e kënaqësisë dhe të përfitimit të dijes nga nxënësit.

11 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)